Rama- qytetarëve: Vaksinohuni që të mos mbeteni jashtë aksesit në mjediset publike
Kryeministri Edi Rama u bën thirrje qytetarëve të pavaksinuar që të vaksinohen një orë e më parë ndaj COVD-19.
Nëpërmjet një video mesazhi, Rama thekson se vaksinimi është i rëndësishme për të mbrojtur veten e për të mos u ndodhur jashtë mundësisë së aksesit në mjediset publike nëse situata e dimrit do ta imponojë.
“MIRËMËNGJES , dhe me ftesën për të pavaksinuarit që të vaksinohen një orë e më parë, për të mbrojtur veten e për të mos u ndodhur jashtë mundësisë së aksesit në mjedise publike, në qoftë se situata e dimrit do ta imponojë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shprehet Rama krahas videos së publikuar.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar dy ditë më parë se vendosja e Green Pass në bare dhe restorante do të vlerësohet si opsion në varësi të ecurisë së situatës së pandemisë.
“Ne jemi duke vlerësuar dinamikën e pandemisë. Do të shohim se si do të përballemi me ecurinë e infektimeve. Të gjitha opsionet janë të tavolinë, edhe vendosja e Green Pass është një nga këto. E kemi vendosur por studentët dhe ka pasur një rritje e studentëve që janë vaksinuar. 38-30% e grupmoshës 18-24 janë vaksinuar por jemi akoma larg”, ka deklaruar ministrja.
Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,496,960 vaksina antiCOVID. Vaksinimi masiv po vijon në pikat e përqëndruara te vaksinimit, në qendrat shëndetësore, poliklinika si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet në kuadër të aksionit kombëtar “Derë më derë”.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,938,398 doza të vaksinës ndaj COVID-19.
Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar. Ndërkaq ka filluar vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës për personelin shëndetësor, për qytetarët +60 vjeç me sëmundje kronike si dhe për personat +18 vjeç me frenim të imunitetit.