Vangjel Dule: Marrëveshja e detit Greqi-Shqipëri u rrëzua nga raporti sekret i Turqisë

Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, thotë se marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë të nënshkruar nga dy vendet në vitin 2009, u prish me ndërhyrjen e Turqisë.
Kreu i PBDNJ-së thotë se, këtë e ka zbuluar një admiral turk në lirim që ka treguar se, pas nënshkrimit të marrëveshjes i kanë dërguar një raport sekret Shqipërisë, ku thuhej se ishte në favor të Greqisë.

“Pati një zhvillim që nuk e di pse mediat në Shqipëri e anashkaluan. Kemi një deklaratë shumë negative, para një jave nga një admiral turk në lirim, i cili thotë se pas nënshkrimit të marrëveshjes në vitin 2009, i dërguam një raport sekret palës shqiptare ku i shpjegon se marrëveshja ishte në dëm të interesave të tyre. Kam deklaruar se ndërhyrja që u bë kundër marrëveshjes ishte produkt i palëve të treta. Turqia e pranoi vetë, që ka ndërhyrë dhe ka dërguar raport sekret”, u shpreh z. Dule.

Kryetari i PBDNJ-së tha më tej se, marrëveshja e nënshkruar vetëm pak ditë më parë mes Greqisë dhe Italisë është bërë mbi parimet e që u arrit dhe marrëveshja me Shqipërinë. Sipas tij, e gjithë zhurma ka ardhur nga padia e Partisë Socialiste në Gjykatën Kushtetuese.

“Para një jave Greqia dhe Italia firmosën marrëveshje dhe në këtë rast nxjerr kakofoninë dhe blofin e qeverisë sonë në lidhje me marrëveshjen e detit. Tregon se sa e gabuar ka qenë lëvizja e Partisë Socialiste dhe z. Rama në dy drejtime; Për të penguar dy vendet në arritjen e marrëveshje që do të çonte në shfrytëzimin e zonave ekskluzive për interes të vetë por edhe interes të dy palëve. Nga ana tjetër krijuan një klimë të helmuar në opinionin publik se Greqia kërkon të grabisë ujërat e Shqipërisë. Italia dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje mbi parimet që ishte nënshkruar dhe marrëveshja Greqi-Shqipëri e vitit 2009”, përfundoi z. Dule.

Shqipëria dhe Greqia nënshkruan më 27 Prill 2009 marrëveshjen për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin, në bazë të së drejtës ndërkombëtare. PS i kërkoi Gjykatën Kushtetuese të shqyrtonte pajtueshmërinë e saj me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese me vendimin 15, datë 26 Janar 2010, e shfuqizoi marrëveshjen duke e konsideruar të papajtueshme me Kushtetutën.

Një nga argumentet kryesore ishte se, nuk janë zbatuar parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm pasi nuk ishin marrë parasysh ishujt si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Sipas Gjykatës Kushtetuese në marrëveshje konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.