Modeli anglez që do të menaxhohet parku i Butrintit rrezikon UNESCO-n: Po me qytetin e lashtë çfarë do të ndodhë?
Një artikull i botuar në gazetën britanike “The Guardian” se një nga ikonat e Trashëgimisë Britanike “Stonehenge” mund të humbasë statusin e trashëgimisë botërore, rikthen edhe njëherë në vëmendje Planin e Integruar të Menaxhimit të Butrintit në Shqipëri.
Kjo pasi “Stonehenge” u përmend në vitin 2019 edhe në vendin tonë, kur ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se Plani i Menaxhimit të Butrintit ishte bërë sipas modelit të “Stonehenge” në Britaninë e Madhe.
Në një kohë që rrethi i njohur me gurë në Wiltshire mund të humbasë statusin e pasurisë botërore të UNESCO-s, studiuesi dhe ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare ka ngritur shqetësimin se çfarë do të ndodhë me qytetin e lashtë të Butrintit.
“Ministrja Margariti dhe drejtori i fondit shqiptaro-amerikan, Michael Granof deklaruan se Plani i Menaxhimit të Butrintit ishte bërë sipas modelit të ‘Stonehenge’ në Britaninë e Madhe. Zonja Margariti me kënaqësi e reklamoi Modelin e ‘Stonhenge’ si modelin e duhur për Butrintin megjithëse jam i sigurt që nuk e ka parë ndonjë herë këtë qendër dhe nuk ka pasur mundësi ta studiojë problematiken e kësaj qendre që i është shitur nga hartuesit e Planit si një histori suksesi”, thotë ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare.
I pyetur nga Gazetasi, studiuesi Tare duke bërë dhe një paralelizëm mes planeve të menaxhimit, thotë se ato nuk mund të merren shabllon.
“Plani i Menaxhimit nuk mund të merret shabllon pa u konsultuar me specialistët vendës dhe pa parë problematikën vendëse. Nëse Margariti na tha që ky qenka më i mirë, bazuar ku është më i mirë?”, thotë ai.
Lidhur me Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit, kritik është edhe arkeologu Neritan Ceka.
“Bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore shqiptare, por nuk merren parasysh ekspertët shqiptarë. Po humbet tradita, duhej të pyetej brezi i tanishëm i arkeologëve”, thotë arkeologu Ceka ndërsa nuk bën një paralelizëm me modelin “Stonehenge”.
Ndër të tjera, studiuesi Tare thotë se menaxhimi i parkut të Butrintit nga një fond i huaj është i gabuar.
Ai shton se Butrinti duhet të jetë modeli, ku Shqipëria të tregojë suksesin në ruajtjen dhe menaxhimin e kësaj trashëgimie.
“Me kënaqësi do të shtoja se ky mendim imi publik u mbështet nga vizita private e disa personaliteteve të larta amerikane dhe britanike javën e shkuar në Butrint, ku ideja se Butrinti duhet të ishte patjetër “modeli Shqiptar” ne hapësirën europiane të Trashëgimisë Kulturore dhe Historike ishte modeli i duhur”, vijon më tej studiuesi Tare.
Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit
Plani 10-vjeçar për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit u bë publik nga Ministria e Kulturës në vitin 2019. Dokumenti i hartuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës i njohur si “Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, është miratuar nga Këshilli i Ministrave në korrik të vitit 2020.
“Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.
Procesi i menaxhimit të Butrintit u hap në tetor të vitit 2018 kur u nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.
Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive kulturore shqiptare në pronësi publike.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.