Nuk ka traget nga Korfuzi/ Linja nuk është funksionale edhe pse ka rifilluar lundrimi me Greqinë
Ndonëse disa ditë më parë u raportua hapja e kufirit me Greqinë, një problematikë është hasur në jugun e vendit, konkretisht në portin e Sarandës, ku ritmi ditor i qarkullimit është 40-50 pasagjerë.
Por Top Channel ka mësuar se ende nuk është bërë e mundur lëvizja e pasagjerëve nga Korfuzi drejt Sarandës, pasi është duke funksionuar vetëm njëri prej tri operatorëve të licencuar për udhëtimin drejt Korfuzit.
Sipas operatorit aktiv linja nga Korfuzi drejt Sarandës pritet të nisë nga nesër pasdite ndërsa pritet konfirmimi i fundit i kushteve teknike të mjeteve. Sipas tij mos funksionimi i duhur i të gjitha linjave lidhet pikërisht me këtë arsye.
Sa ju përket masave anti-covid është duke u respektuar kapaciteti i pjesshëm si dhe kërkesa në hyrje si në çdo kufi tjetër me shtetin grek, PLF dhe certifikatë vaksinimi. Ata që nuk janë vaksinuar si edhe fëmijët mbi 12 vjeç detyrohen të paraqesin test PCR covid negativ.
Kujtojmë se kufiri me shtetin grek u hap disa ditë më parë dhe në pikat e kalimit kufitar në rrugë tokësore, Kakavijë, Kapshticë vijon qarkullimi normalisht. Në Qafë Botë doganat punojnë me një numër të caktuar qytetarësh.
Kujtojmë se deri në vitin 2019 ky port ka funksionuar me një kapacitetet përpunues deri 400 mijë shtetas.