Mori mandatin e deputetes, Teuta Ramaj: Privilegj e përgjegjësi e madhe

Deputetja me orgjinë nga Konispoli, Teuta Ramaj, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale pas marrjes së mandatit si deputete në qarkun e Vlorës.

Ramaj mori mandatin e deputetes pasi kryeministri Edi Rama zgjodhi ta qëndrojë si deputet në qarkun e Durrësit.

“Të dashur miq!

Pas vendimit të kryeministrit z. Edi Rama për të mbajtur mandatin e deputetit në Qarkun e Durrësit dhe pas zyrtarizimit të rezultatit të dalë nga vota e 25 Prillit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, jam shpallur zyrtarisht deputete e Qarkut Vlorë.

Dua të falenderoj bashkëpatriotët e mi  çam, bashkëqytetarë, miq e dashamirës për urimet e shumta. Ndihem e vlerësuar dhe e privilegjuar të jem deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës. Njëkohësisht, e konsideroj privilegj dhe përgjegjësi të madhe të jem zëri juaj në Parlamentin e Shqipërisë.

Mandati i deputetit për mua është përgjegjësi e madhe qytetare ndaj Vlorës, ndaj shoqërisë sonë, ndaj partisë socialiste dhe në veçanti ndaj të gjithëve ju që më përkrahët me votë duke më konsideruar personin e duhur të cilit mund t’i besoni vullnetin tuaj politik.

Për këtë ju jam thellësisht mirënjohëse, vullnetin dhe besimin tuaj do të përpiqem, me të gjitha mundësitë e mia, që ta përkthej në kontribut sa politik aq dhe qytetar, si deputete e Qarkut të Vlorës.

Rrugëtimi im politik do të jetë me ju prandaj në çdo sfidë qytetare ne do të jemi bashkë dhe po prapë bashkë do të punojmë për Vlorën tonë dhe për vendin!”, shkruan Teuta Ramaj. /Sarandanews.com/