Mori detyrën si kryebashkiak, mesazhi i Oltion Çaçit: Së bashku do nisim zhvillimin e madh të Sarandës

Nga Oltion Çaçi 

Faleminderit të gjithë qytetarëve për besimin e dhënë, për ta çuar Sarandën përpara.

Sot është një ndër ditët më të bukura të jetës sime që të kem privilegjin e madh të jem i zgjedhuri juaj në krye të Bashkisë së Sarandës. Jo thjesht qytetari i parë i Sarandës, por shërbëtori i parë i saj.

Më lejoni gjithashtu, t’i uroj të gjithë anëtarët dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak për detyrën! Tani është momenti që të mos humbim kohë, të gjithë së bashku të nisim punën për projektet tona që do t’i paraprinë të ardhmes, transformimit dhe zhvillimit të Sarandës.

Ti japim Sarandës statusin e një destinacioni turistik të niveleve europiane, dhe njëkohësisht pamjen e një qendre urbane moderne dhe sociale dinjitoze.

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe mirëqënie për qytetarët tanë, janë prioriteti im!

Të ndërtojmë një komunitet të përbashkët, ku secili banor të ndihet i rëndësishëm dhe i respektuar.

Do të punojmë pa u lodhur për të përmirësuar sa më parë infrastrukturën tonë dhe për të siguruar shërbime cilësore për të gjithë banorët e Sarandës.

Kemi nevojë urgjente për të mbrojtur dhe ruajtur mjedisin, duke u kujdesur për një qytet të pastër, me më shumë hapësira publike dhe tejkaluar sfidat e viteve paraardhëse për ti paraprirë një sezoni turistik që shënon nisjen e një epoke të re për Sarandën.

Të nisim punën për përmirësimin e shërbimeve publike, arsimin, kulturën dhe sportin, infrastrukturën shëndetësore dhe mundësitë e punësimit.

Nuk kemi kohë për të humbur! Kjo është bashkia e gjithësecilit prej jush ku dera e këtij institucioni do të jetë gjithmonë e hapur.

Bashkëpunimi me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me qeverinë dhe donatorët, tërheqja e projekteve të reja për Sarandën dhe përkushtimi ndaj punës do të jetë kryefjala e përpjekjes sonë për zhvillim.

Ndaj ftoj sot, gjithsecilin prej jush të bëjmë bashkë histori!

Të ndërtojmë një Sarandë më të fortë për fëmijët e së nesërmes që tejkalon veten dhe u pararend zhvillimeve dhe sfidave të së ardhmes.

Na priftë e mbara!

Faleminderit!