Deputetët grek kërkojnë hapjen e doganës së Qafë Botës
Ditën kur autoritetet greke kanë komunikuar lehtësimin e madh të kufizimeve në prag të hapjes së turizmit këtë fundjavë, mësohet se për pikat kufitare me Shqipërinë si Qafë Bota, Tre Urat dhe Kapshticë ende ka mëdyshje për tu hapur, madje do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe gjatë muajit qershor.
Doganierë dhe oficerë policie të pikës së Kakavijës, e vetmja që funksionon në këto momente kanë reaguar ndaj moshapjes së pikave të tjera me Shqipërinë, duke kërkuar qe edhe në këtë doganë të zgjatet orari i punës dhe të shtohet numri i hyrjeve.
“Kërkojmë hapjen e menjëhershme me të gjitha protokollet mjekësore te të gjitha doganave me shtetin fqinj. Flasim për Tre Urat, Qafën e Botës dhe Kapshticën. Në këtë moment pika e vetme që funksionon është Kakavija dhe kjo punon vetëm 12 orë në ditë”- tha Christos Grivas Bordi drejtues i Doganierëve të Greqisë.
“Do duhet që mos jetë vetëm dalja e vetme. Sa i përket numrit prej 400 vetësh kur flasim për Shqipërinë është shumë i kufizuar kështu që duhet, edhe të rritet orari i funksionimit edhe numri i hyrjeve, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të njerëzve”- tha Anestis Kapsalis Kryetar i Unionit të Oficerëve të Policisë.
Nga ana e tyre dy deputetë të Demokracisë së Re të zonës së Follorinës dhe Kosturit, Janis Antoniadhis dhe Zisis Tsigalajas në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile, janë interesuar për punëtorët sezonalë nga Shqipëria për të cilët kanë dëgjuar se ende nuk ka dritë jeshile të kalojnë nga Kapshtica dhe kanë kërkuar të rishikohet vendimi për hapjen e gjithë doganave me Shqipërinë.
Nga Moska ku ndodhet për vizite zv/ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardhalias ka premtuar se do të rishqyrtohet në ditët në vijim hapja e kufijve për qëllime tregtare dhe biznesi, për kompanitë specifike dhe tregtarët, të cilët kanë aktivitet eksporti dhe liçenca të veçanta.
Përpjekja e deputetëve dhe e autoriteteve te zonës vazhdon në ditët e ardhshme me takimet me zyrtarët e Organizmit Kombëtar të Shëndetit, pasi ky shërbim nuk mundëson personel shtesë për pikën e Kapshticës dhe për pikat e tjera dhe kjo cilësohet si një nga shkaqet që nuk hapen këto dogana.