Rama: Javës tjetër hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës
Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e aeroportit të Vlorës ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë puna dhe për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.
Kreu i qeverisë tha se javës tjetër do të hapet gara për këtë aeroport, por njoftoi se do bëhen dhe investime në Rinas për zgjerimin e pistës dhe ndërtimin e terminalit të ri. Kryeministri po ashtu tha se shumë shpejt do të ketë fluturime direkte me Amerikën dhe avioni “Fan Noli” do të sjellë shqiptarët nga SHBA.
“Mbase javës tjetër do të publikojmë garën për aeroportin e Sarandës. Po ashtu do të bëjmë dhe investim në aeroportin e Tiranës, do të jetë një projekt 99% milionë Euro dhe do të ndërtohet terminali i ri dhe do të plotësohen të gjitha kushtet e pistës për udhëtim transoqeanike. Do të kemi udhëtimet Tiranë-New York, por dhe Vlorë-New York. “Fan Nolin” ne do ta çojmë në Amerikë dhe shqiptarët do t’i sjellim në Shqipëri pa dashur nevoja që të rrinë për orë të tëra në aeroporte të tjera“, tha Rama.
Po ashtu Kryeministri përsëriti edhe njëherë premtimin për ndërtimin e dy aeroporteve të tjera të vegjël në Korçë dhe Gjirokastër.