Kufiri detar, Athina: Zgjidhje të shpejtë, të kënaqë dy palët, Shqipërisë i intereson për BE-në
Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias kërkoi që çështja e kufirit detar me Shqipërinë të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Në një intervistë për mediat greke, ai u shpreh se shpreson te rinisja e dialogut. Dendias theksoi se zgjidhja e problemeve të vjetra është edhe në interesin e Shqipërisë duke pasur parasysh perspektivën evropiane.
“Zgjedhja e Greqisë është caktimi i kufijve të shelfit kontinental dhe EEZ, në bazë të Ligjit Ndërkombëtar, me të gjitha vendet fqinje. Pra, me Shqipërinë, ne duam ta zgjidhim këtë çështje të prapambetur sa më shpejt që të jetë e mundur.
Siç deklarova kohët e fundit në Parlament, në debatin për ratifikimin e marrëveshjeve të demarkacionit detar me Italinë dhe Egjiptin, shpresoj që hapi tjetër të jetë nënshkrimi i një marrëveshjeje me Shqipërinë. Më lejoni t’ju kujtoj se ne kishim nënshkruar një marrëveshje në vitin 2009, por në fund ajo nuk vazhdoi për arsyet e njohura.
Shpresoj që së shpejti të jemi në gjendje të kapim përsëri fillin e bisedimeve përkatëse dhe të arrijmë një rezultat që do të kënaqë të dy palët. Është e rëndësishme, në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duke pasur parasysh perspektivën evropiane të vendit tonë fqinj, të mbyllim të gjitha çështjet e hapura” tha ai.
Debati me Greqinë për detin u rindez, pasi Athina zyrtare deklaroi se do të zgjerohet me 12 milje në Jon.
Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë një vizite në Athinë në 16 shtator u shpreh se kjo çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë zgjidhet me ndihmën e palëve të treta, ose gjykatave ndërkombëtare.