Grabiten 54 hektarë tokë në bregdet/ Dhërmi, prokuroria e gjykata i jep të drejtë të dënuarve për falsifikimin e kësaj prone
Nuk kanë të mbaruar skandalet me pronat në qarkun e Vlorës ku kësaj here protagonistë bëhen prokurorë dhe gjyqtarë të këtij qyteti.
Top Channel përmes dokumenteve sjellë skandalin e radhës se si 54.6 hektarë tokë që kanë qenë e konfiskuar nga shteti pas verifikimit se ishin marrë me falsifikim, po rimerren sërish duke hapur një proces të mbyllur pas 12 vitesh. E gjithë ngjarja mban firmën e prokurorit Dritan Marku dhe drejtuesit të prokurorisë Vlorë Erion Cela i cili në këtë rast ia ka deleguar firmën zëdhënësit të tij Albert Kulici.
Sipas këtij dokumenti bëhet fjalë për disa parcela toke të ndara në Dhërmi, që arrijnë në total 546.000 m2.
Enkelejda Mucaj avokate e përgjithshme e shtetit në 18 korrik të këtij viti vë në dijeni zyrtarët e lartë të drejtësisë, se çfarë është duke ndodhur sëfundmi me këtë pronë për të cilën në vitin 2008 prokuroria mbërriti në përfundimin se u regjistrua përmes falsifikimit në favor të Thoma Petra Beja dhe Fotina Zaho Beja.
Avokatja e Shtetit thotë se:
Ky vendim është shqyrtuar dhe nga Gjykata e Apelit Vlore, e cila me vendim nr. 495 date 18.10.2012, ka vendosur dhe deklarimin fajtor te lëshuesve te aktit shtetasit Jorgji Buta dhe Artan Llazari “Per veprën penale te falsifikimit te dokumenteve “. Në kushtet kur kjo ponë u regjistrua përmes dokumenteve të falsifikuara gjykata e Vlorës më 15.07.2016, ka vendosur: “Marrjen e masës se sigurimit pasuror “sekuestro preventive” të sipërfaqes totale prej 54.6 hektarë, e ndodhur ne fshatin Gjileke-Dhermi.
Por në Korrik 2020, prokuroria e Vlorës që hetoi çështjen dhe vërtetoi falsifikimin e më pas gjykata gjeti fajtor përfituesit e kësaj prone, është e njëjta prokurori që kërkon rigjykim për të dënuarit e falsifikimit të pronës. Çështja u gjykua nga gjyqtarët Elona Mihali,Herila Cela dhe Hektor Sinanaj. Enkelejda Mucaj avokate e përgjithshme e shtetit për këtë zhvillim të ri që përbën një skandal të vërtetë thotë:
“Në rrugë jo zyrtare kemi ardhur në dijeni të faktit që në Korrik 2020, Prokuroria e rrethit Gjyqësor Vlorë, i është drejtuar Gjykatës së Vlorës me kërkesë “Rigjykimin e të pandehurve Petro Beja dhe Theodhori Beja dhe kjo gjykatë me vendimin e datës 22.07.2020 vendosi pushimin e çështjes penale në ngarkim të Petro Beja dhe Theodhori Beja si dhe heqjen e masës së sekuestros preventive të 54.6 hektarë tokë në fshatin Gjilekë Dhërmi”.
Enkelejda Muçaj avokate e përgjithshme e shtetit përballë kësaj situate mbërrin në këtë përfundim: Kërkimet e prokurorisë të pranuara edhe nga Gjykata, janë një situatë e paprecedentë dhe e paqartë pasi është një çështje disa vjeçare që prej vitit 2008 më pas e risjellë nga Njësia Task Forcë në pranë Kryeministrisë e cila është pranuar me procedime penale. I kërkojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë inspektimin dhe hetimin e shkeljeve të kryera nga ana e prokurorisë Vlorë dhe dhënien e vendimeve të sipërcituara.