Nga Saranda në SHBA përmes kufirit grek, dëshmia e rrallë e të arratisurit në ’85-ën
Nga Dashnor Kaloçi
Vizitë tek një doktor sysh që i preu të gjitha shpresat. I tha nënës që do të mbetesh e verbër për tërë jetën! U ktheva në fshat i mërzitur, pasi çdo ditë bëhej më e vështirë për kasollen time të varfër. Ora 5.30 e mëngjesit. Të gjithë flinin veç Gjergjit të vogël që ishte zgjuar. Ishte dy vjeç dhe më foli fatziu! E putha fort, pasi ky ishte takimi i lamtumirës. Ca para që kisha, i’a vura nënës tek koka e krevatit dhe u largova pa thënë asnjë fjalë. 29 Korrik, ditë që do mbetet përjetë në kujtesën time.
Në shtëpinë time dhe vëndin tim, e ndjeja veten si në fund të ferrit!
Në shtëpinë time, në tokën time, e ndjeja veten si në fund të ferrit, pasi asnjë nuk më donte në fshat veç gomarit tim! Ajo kafshë e urtë më donte me gjithë shpirt dhe unë s’kisha nevojë ta tërhiqja nga kapistra! Ai më ndiqte nga mbrapa kudo që shkoja. Gjithnjë më rrinte pranë dhe tani më duhej ta braktisja këtë kafshë të mjerë.
Nga fshati deri poshtë vëndin e quajtur “Abure”, udhëtova me Luti Llarin, i cili më pyeti se çfarë do punoja. Unë i thashë se do mbjell luledielli. Kështu u ndamë dhe unë e lidha gomarin në anë të arës, ku i’a hoqa samarin, e nuk ja lidha litarin në këmbë, që ai të shkonte ku të donte. Ai, sikur të ishte njeri, duket se e kuptoi që diçka e keqe do të ndodhte! Sytë e tij u përlotën dhe mua më erdhi keq dhe e putha. E dëgjova hungëllimën e tij deri tek mulliri i Bamit.
Ndërkaq, dy gjëra më torturonin: vapa e korrikut dhe të papriturat që mund të më ndodhnin. Ëndrra që kisha parë dy netë më parë më dha sinjalin “bëj atë që ke ndërmënd të bësh, Zoti është me ty”. Kisha gati 24 orë pa ngrënë, pasi, as oreks nuk kisha, ndoshta nga ankthi! Pasi kalova grykën në fshatin Theollogo, qëndrova tek kroi për të pirë pak ujë, ku mbusha dhe paguren.
Drejt kufirit me Greqinë, i uritur dhe i zhuritur nga etja!
Një grua që ruante lopët, erdhi për të pirë ujë dhe më pyeti se ku do shkoja. I thashë se kisha shitur pak rigon dhe do shkoja të merrja paratë. Ajo më tha se atë ditë ishte e mbyllur gjithshka, ndaj mos të shpresoja kot. I thashë se do blija diçka në dyqan dhe ajo e hëngri. Malorja e Stugarës të merrte frymën. E mora në këmbë për më shumë se tre orë. Pas tre orësh, ndodhesha pak metra poshtë saj, në një luginë të mbushur me shkoza, mbi fshatrat Maçan dhe Grazhdan.
Prisja me ankth që të perëndonte dielli, pasi vetëm në errësirë mund që të kaloja kufirin. Perëndimi erdhi ngadalë dhe dielli u fsheh papritur, e m’u duk sikur u zhduk në mes të qiellit! Një perëndim të tillë, nuk e kisha parë kurrë në jetë dhe nuk e di pse mu duk kaq i bukur?! Nga çdo anë që hidhja sytë, më dukej sikur botën e kisha nën këmbët e mia. Errësira si qefin i zi, po mbulonte tokën dhe ngadalë po mbulonte edhe ato brinjë mali, ku ishte kasollja ime e varfër.
Kopetë me dhen e dhi dolën nga mërizat ku ishin anës lumit, duke i’u ngjitur malit përpjetë për të kullotur në freskinë e natës. Të lehurat e qenve në këtë qetësi, i’u shtuan dhe zogjtë me këngën e tyre karakteristike. Gjë s’kisha për të ngrënë, por edhe uria m’u largua nga ankthi! Vetëm etja më mundonte dhe isha i detyruar ta kurseja atë pak ujë, pasi kisha shumë rrugë për të bërë. Isha tepër i lodhur nga etja dhe zemra s’ma bënte të ngrihesha.
Mora çantën me paguren dhe i hodha në krah. Ishte ora nja 9 e natës. Ikja në errësirë, ikja ashtu si i çmëndur, ikja nga uria që po më gërryente barkun, ikja nga uria që po më përvëlonte zorrët, ikja ashtu këmbëzbathur i gjakosur në drejtim të paditur! Ikja dhe lodhja po më dërrmonte, ikja dhe në vesh më buçiste vajtimi i nënës që sy mbyllur priste të kthehej i biri në darkë! Ikja dhe në vesh më buçiste vajtimi i jetimëve, që kërkonin t’u sillja bukë. Ikja dhe në vesh më pëshpërinte vajtimi i motrave që s’kishin vëlla, ikja si fëmijë jetim që ka humbur gjithshka.
Ika në errësirën e natës dhe diku u ndala e ktheva kokën për herë të fundit, për të parë ato brinja mali, ku ishte kasollja ime, ku ishit ju, ku shpirti im, i’u shkëput kufomës dhe e la atë përjetësisht në baltë! Kur dola në majë të malit, më verboi drita e hënës dhe ishte e pamundur që ta kaloja kufirin në atë ndriçim verbues. U ula përtokë dhe mendova që do të ishte më mire, që të kaloja malin nga ana tjetër ku ishte errësirë.
Çdo hap që hidhja mundohesha që të mos bëja zhurmën më të vogël. Kur dola në anën tjetër të Stugarës, hëna më dukej si hije dhe më pëlqente. Vendosa çdo 50 metra të ulesha dhe të përgjoja se ç’kisha përprara, duke qëndruar për 10 minuta pa lëvizur. Kjo rrugë e pa rrugë tërë ankth, më bëhej pengesë për të avancuar, sepse se kisha parashikuar që para orë 12 të natës të kaloja në tokën greke.
Guximi i tepruar që sundonte në çdo qelizë të organizmit, më bënte që të mos e njihja fare frikën. Me besim tek Zoti, dhe me besim tek shpirti im i pa epur, avancoja me kujdes. Poshtë në fshatin e Leshnicës, dëgjoheshin vetëm të lehura qensh. Pa pritur, para meje u ngritën një tufë me thëllënxa që më trënbën për vdekje. Lodhja, uria, etja, më shkaktuan një debulesë që më ngërthente trupin. Nëse do të përkeqësohej puna, nëse do të më linin forcat, udha do bëhej më e vështirë.
Stugara nga larg dukej sikur ishte 100 hapa, por përpara meje shtrihej një mal pa mbarim, sa mbaronte një breg fillonte tjetri. Në stomak ndjeja një rëndesë pavarësisht se nuk kisha ngrënë gjë. Më poshtë, në malin e Camadait, dëgjohej zëri i një çobani që ndërzente qentë e stanit. Ato kullosnin në freskinë e natës. Kumborët e prishnin qetësinë e kësaj nate me hënë. Prisja që përpara të më dilte kloni me tela. Goja më ishte bërë helm nga etja.
Pas disa orësh udhëtim, pa ndjenja në tokën greke!
Diku rashë dhe u mundova të villja. Me vështirësi volla, por goja mu helmua më shumë. Ujë për të pirë nuk kisha dhe ndjeja që tënsioni i gjakut më kishte rënë. U ngrita, mblodha të gjitha forcat, dhe vendosa më çdo kusht të kaloja lumin. Ku isha i sigurt, që pas tij ishte toka greke. Nga çasti në çast mund të rrëzohesha në greminat e Stugarës! Kjo udhë e vështirë ku isha i sigurt që nuk do hasja në ushtarë, ishte 3 orë, derisa zbrita matanë lumit të tharë.
Etja po më përvëlonte barkun dhe buzët më ishin tharë. Duhet të gjeja ujë me çdo kusht, ndryshe do më binte të fikët. Papritur dëgjoj se rridhte ujë diku afër lumit dhe vendosa që të ndjek rrjedhën. E gjeta dhe piva ujë aq shumë, saqë barku m’u fry si kaçup. Rashë për tokë, se ndoshta uji më dëmtoi. U shtriva nga ana e tharë e tij, që u bë streha ime atë mëngjes të 30 korrikut. Po humbja ndjenjat në atë buzë përroi në një tokë të shkretuar nga vapa e korrikut. Rashë për të vdekur në një tokë të huaj dhe e vetmja gjë që më dilte përpara syve, ishte pamja e nënës me tre foshjat jetimë që qanin!
M’u duk si agonia e vdekjes dhe më pas s’mbaj mënd se çfarë ndodhi! Ndoshta Zoti s’donte të më humbte. Atë mëngjes një njeri i panjohur për mua, po më jepte jetë. Me poçen më lagte buzët e thara dhe më hidhte ujë në gojën që më ishte bërë shkarp. Ndjeva që gjaku më lëvizte përsëri në damarë. Ndjeja që zemra po më rrihte fort dhe trupi më ishte lodhur shumë.
Priftërinjtë e një manastiri, më gjetën gjysëm të vdekur!
E ndjeva se po më vinte drita në sytë e venitur. Dallova më qartë fytyrën e parruar të atij njeriu që po më jepte jetë. E pashë atë njeri që po qante për gjëndjen time të mjerë! Ky njeri i mirë që unë nuk ja dija emrin, bëri një përpjekje për të më hipur në kalin e tij të ngarkuar. Duke më mbajtur që të mos bija nga kali, më çoi në një shtëpi në mes pyllit, e rrethuar me qepariza.
Një turmë njerëzish veshur në të zeza, u sulën për t’a ndihmuar njeriun që sillte një viktimë gjysëm të vdekur! Flisnin një gjuhë që unë e kuptoja fare mire. Njeriu që më kishte gjetur duke më lagur buzët, duke më stripsuar mishrat dhe damarët, u tregonte të tjerëve historinë se si më gjeti.
-“Pashë korbat tek po fluturonin rrotull në pyll, mendova se shpezi do të ketë ngrën ndonjë bagëti, cicërima e ca zogjëve që s’kisha parë ndonjëherë më bëri kureshtar. Kali që tërhiqja nga kapistra ndaloi, nguli këmbët dhe s’donte që të shkonte përpara! E rraha kafshën e varfër, por nuk dëgjoi! Atëhere vendosa të ndrroj rrugë dhe zbrita nga ana e përroit, kur përpara më del kufoma e këtij njeriu që po vdiste! U tmerrova, s’dija çfar të bëja dhe u afrova, vura dorën në zemër, dëgjova se rrihte akoma! Kjo është për tu çuditur, kjo është mrekulli nga zoti! Ja kështu. Ja për allah, kështu e gjeta këtë njeri të zbathur, këmbëgjakosur, me zhelet që i varen” përfundoi plaku.
Të tjerët dëgjonin në heshtje të befasuar nga kjo histori e atij mëngjesi! Ata njerëz bën njëmij përpjekje, për të dhënë jetë. Gjithçka ishte pranë meje, i gjithë kujdesi dhe shpirti i atyre njerëzve të mirë. Kur unë erdha në vete, njëri nga këta më pyeti.
-‘Kush je”?
-“Kam etje”, i’u përgjigja në greqisht.
Ata u habitën që unë flisja gjuhën e tyre dhe menjëherë më sollën ujë, portokalladë, Coca-cola.
-“Nga vjen”, më pyeti përsëri.
-“Nga xhehnemi”, i’u përgjigja me gjysëm zëri.
Burrat të veshur në të zeza, u mbrapsën pak dhe të gjithë filluan të bënin kryqin në gjoksin e tyre, ata menduan se unë mos isha ndonjë fantazëm!
-“Si të quajnë”, pyeti përsëri plaku i trembur!
-“Jezu Krisht”, u përgjigja pa ndrojë!
Ata u trembën, të gjithë filluan të bënin kryqin me dhjetra here, duke mos besuar se ç’po ndodhte përpara syve të tyre, duke menduar se unë do isha një i çmendur.
-“Nga vjen, biri im, mund të na thuash”, pyeti përsëri plaku që e kishte humbur durimin.
-“Po, mund të flas në gjuhën tuaj dhe kërkoj të më falni për gabimet, se nuk e flas dhe aq mirë. Unë vij nga Shqipëria, kam qenë i dënuar me 10 vjet burg, të cilin e vuajta në Spaç. Më quajnë Kaso Hoxha, jam nga fshatrat e Sarandës”.
Sipas porosive të priftërinjve, u dorzova në postën grek të kufirit
U tregova me imtësi tragjedinë e jetës time, ata qanin me lot dhe më premtuan se do të më ndihmonin. Unë u kërkova nëse ishte e mundur, të më nxirrnin në botën perëndimore. Kisha frikë nga qeveria e Papandreut, se mos më kthente përsëri tek xhelatët në Tiranë.
Kryekallojeri i Manastirit, më siguroi duke më thënë: -“Mos ki hiç frik, unë do ta raportoj këtë tek Dhespoti i Konicës, kështu që qeveria nuk mund ta bëjë këtë që të shkel ligjin ndërkombëtar për refugjatët që kërkojnë strehim politik. Kështu biri im, tani e tutje do të quaj “Kristo”, është një domethënie që ti je gjallë! Ti do të veprosh siç do të këshilloj unë,(duke më treguar një shtëpi poshtë në brinjë të malit), do të shkosh tek ajo posta ushtarake, mos u thuaj që ke qënë këtu tek Manastiri. Thuaju se vjen nga Shqipëria dhe kërkon strehim politik, ata do të çojnë në spital, ti ke nevojë për ndihmë mjeksore, të të kurojnë plagët në këmbët e zbathura e trupin e sakatosur nga vujtjet”! k
Këta njerëz të asaj shtëpie të perëndisë, u bën babai dhe nëna ime, më dhanë kurajo, duke m’u lutur që ta harroja të shkuarën. Ata më dhanë numërin e telefonit dhe unë u premtova, se nuk do ti harroja kurrë, për atë mirësi që më bënë.
Mora rrugën në drejtim të Camadait dhe pas një ore u gjenda tek posta greke. Tre ushtarë që rrinin të ulur nën një tendë, më vështruan me vëmendje dhe unë u afrova pranë gardhit, ku pa e humbur toruan, i përshëndeta greqisht.
Kufitarët grekë më pritën me gjithë të mirat
-“Përshëndetje, si jeni”!
Ata ma kthyen të tre bashkë: “Përshëndetje”!
Nga kureshtja, sepse veshja ime me zhele dhe këmbë zbathur, u bëri përshtypje, duke kujtuar se unë isha një vllah që rronin në ato anë me bagëti, Komandanti i tyre më pyeti:”Nga vjen”?
-“Jam Shqiptar, kërkoj strehim politik dhe nëse është e mundur të lajmëroni autoritetet të më marrin.
Ushtarët u ngritën në këmbë dhe më ftuan të shkoja brënda, ku unë u dhashë dorën me rradhë, duke i uruar shëndet. Ata më ftuan të ulesha në një karrike dhe më pyetën nëse kisha uri e ishin të gatshëm të më plotësonin çdo dëshirë.
-“Mos ki frikë”, m’u drejtuan ushtari që ishte si komandant. “Këtu je në botë të lirë”, vazhdoi ai duke më siguruar.
-“Të të bëj një kafe, ose doni ndonjë lëng portokalli”, pyeti përsëri. Ata nuk e dinin që unë isha tek Manastiri dhe siç më këshilloi urata, nuk i thashë asgjë. Ushtarët i kishte tmerruar gjëndja ime fizike, aq i këputur, aq i sëmurë nga ethet dhe menduan se ky njeri nuk e ka të gjatë jetën! Për të mos u treguar fare qibar, u kërkova:”Në është e mundur, një lëng portokalli mund ta pi”, u thashë me ndrojtje.
Në Manastir më ushqyen me vezë të skuqura dhe gjithë të mirat dhe ndjehesha më mirë fizikisht, por shihja se ethet sa vinin e shtoheshin.
-“Pije’ më thanë, ‘është e mirë”.
E mora gotën në dorë dhe ajo ishte aq e ftohtë, sa më thau gishtërinjtë! Rrufa një gëllënjkë dhe në gojë ndjeva një shije të këndshme, të mirë, që se kisha provuar ndonjëherë kurrë në jetë dhe duke pirë këtë lëng të mirë, u përgjigjesha pyetjeve që më bënin ushtarët.
Një ushtar shkroi në një cop letër mbi tavolinë: “LAVDI P.P.SH.” dhe më pyeti: “Çfar do të thonë në greqisht këto fjalë”?! Unë i shkrova më poshtë në letër në gjuhën greke dhe ushtarët qeshën, e më vunë re me vërejtje.
-“Kush ua mësoi këtë”, pyeta i habitur.
-“E kemi parë që është e shkruar në murin e postës kufitare të Shqipërisë”, u përgjigjën ata.
Ushtarët lajmëruan qëndrën dhe prisnin të vinin nga Filati. Mbas një gjysëm ore erdhi makina e policisë me një oficer. Më urdhëruan të hipja në makinë dhe mora torbën, e bëra ashtu si më thanë ata.