E mbuluar me miza e insekte, 80-vjeçarja e braktisur në fshat dërgohet në spitalin e Sarandës
LUKOVË– Lefteria Qendrothanasi, 80 vjeçe është një e moshuar e braktisur që jeton në kushte të mjerueshme përtej imagjinatës, në fshatin turistik Piqeras të Lukovës. Report TV ka raportuar sot se Qendrothanasi është braktisur nga familjarët, dhe as institucionet shtetërore nuk e kanë përfillur, që para tre vitesh, kur të moshuarës iu dogj banesa dhe përfundoi në rrugë.
Ajo u dërgua në azil fillimisht por nuk qëndroi dhe më pas si kujdestare iu caktua kunata. Androniqi Qendrothanasi. Siç shihet edhe në pamje, trupi i Lefteries është mbuluar nga mizat dhe insektet, që i vijnë rrotull për shkak se ka shumë kohë që nuk lahet apo kujdeset për higjienën e saj personale.
Banorët e fshatit turistik Piqeras në Lukovë bëjnë apel që institucionet të bëjnë diçka për të. Ata shprehen se e moshuara ka edhe krimba dhe se mund të përhapë pandeminë.
“Shumë e vështirë është situata, ka një muaj këtu, që kur kam ardhur nga Greqia e kam gjetur kështu në këtë gjendje, nuk ka njeri kush ta lajë dhe ta ushqejë, bërtet, është e sëmurë, ka nevojë për ilaçe. Qeveria, shoqatat ta ndihmojnë” tha një banore.
Ndërsa një tjetër banor ngriti alarmin: Është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe, është për t’u tmerruar, i ka dalë zorra e trashë, është me krimba, këtu në Piqeras do të plasë epidemia, shteti duhet të bëjë dicka.
Androniqi Qendrothanasi është shprehur për Report TV se e ka të pamundur të kujdeset për të moshuarën edhe pse merr pagë mujore për këtë gjë.
“Kujdesimi, mbrëmë i shpura batanije, por nuk dëgjon dhe bën ç’i thotë mendja. Unë vjet e dërgova në azil në Tiranë, por u kthye mbrapsht. Kur erdhëm këtu më tha më grinë mizat, të të grinë i thashë, se unë të dërgova atje të jesh me doktor dhe pastërti. Unë mundohem por nuk më lënë edhe të tjerët, me ç’të drejtë më hapën derën dhe e nxorën përjashta, se unë brenda do e laj, nuk do ta laj në rrugë,”-tha ajo.
Report Tv komunikoi në telefon me Adi Boçin kryetarin e njësisë administrative Lukove, i cili u shpreh se është vënë në lëvizje. Tashmë e moshuara është transportuar drejt spitalit të Sarandës, dhe pritet që të bëhet diçka për të.