Taulant Balla vijon “me shpatë”, mesazhet nga Gjirokastra

Taulant Balla nuk po ngjan me asnjë paraardhës së tij në Rend, në qeverisjen socialiste 10-vjeçare, në mënyrën se si e ka startuar detyrën e vështirë.

Afarmendsh, ai nuk do që të ketë fatin e tyre, kolegë që nuk kanë mundur të kenë nëj histori suksesi, ku njëri prej tyre madja ra dhe në burg, Saimir Tahiri.

Takimin e radhës me strukturat blu, Balla e pati në Gjirokastër, duke dhënë mesazhe të forta për ata ligjzbatues që shkelin ligjin, si dhe duke paralajmëruar reformim të thellë të Policisë së Shtetit.

“Eficenca e punës së Policisë nuk varet nga forca e policit, por nga forca e ligjit. Policia duhet të jetë më shumë vetëkorrigjuese dhe duhet të perceptohet vetëm dhe vetëm si simbol i ligjshmërisë. Polici duhet të jetë një model, një referencë për qytetarët. Në çdo rast shkelja e ligjit ka pasoja të rënda për shoqërinë, por kur ligjet shkelen nga policët, pasojat janë shumëfish më të rënda. Kjo trondit besimin publik jo thjesht te Policia, por te shteti dhe ligji. Mirëpo, këto përmirësime në vizionin dhe misionin e Policisë nuk realizohet thjesht sepse i kërkoj unë apo i mbështesin qytetarët. Ato kërkojnë edhe një mbështetje ligjore dhe ne do të fillojmë të punojmë për këtë”, tha Balla.

“Siç e kam bërë të ditur gjatë kontakteve të mia të para me drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të institucioneve, por edhe me qytetarë në të gjithë territorin e vendit, Policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë nevojë për disa ndryshime në vizionin dhe misionin e tyre. Kam konstatuar se publiku dhe qytetarët i kanë mirëpritur këto qasje të reja në raportet e Policisë me ligjin dhe qytetarët. Duhet t’i japim më shumë prioritet komunikimit, bashkëpunimit e partneritetit me qytetarët dhe funksioneve edukuese të Policisë dhe agjencive ligjzbatuese”.

Këto mesazhe të minsitrit Balla vijnë pas një operacioni që zbuloi se si zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit ishin pjesë e botës së krimit.

Kjo është detyra e parë prej qeveritari e Taulant Ballës si politikan, ku qartazi lexohet “basti i tij” me veten për të mos dështuar aty ku kanë dështuar kolegë të tij paraardhës.