Balla flet nga Saranda: Ata që janë kundër listave të hapura, janë në anën e gabuar të historisë dhe kundër popullit të vet
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “ata që janë kundër vendimit pa kthim tashmë të hapjes së listave, kanë vendosur të jenë në anën e gabuar të historisë dhe të jenë kundër popullit të vet”.
Në një event artistik në Sarandë, Balla theksoi se “listat e mbyllura ishin pengesë për përfaqësimin më të mirë të komuniteteve në parlament”.
“Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë mori një vendim historik me hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, në mënyrë që çdo qytetar të zgjedhë jo vetëm partinë, por edhe deputetin që do. Është fakt i pakundërshtueshëm se listat e mbyllura kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve dhe kufizimin e arsyeshëm të fuqisë së udhëheqjes apo të kryetarit të partisë në përcaktimin e deputetëve”, tha ai.
Balla u shpreh krenar që edhe në këtë vendim të rëndësishëm, Partia Socialiste, si gjithmonë, u vendos në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së plurarizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë, të cilëve me këtë votë ne u japim mundësinë të zgjedhin, jo vetëm partinë, por dhe deputetin që duan.
“Ata që janë kundër vendimit pa kthim tashmë të hapjes së listave, kanë vendosur të jenë në anën e gabuar të historisë dhe të jenë kundër popullit të vet. Kjo do të thotë të mos kesh besim te populli yt dhe të tregosh se nuk e meriton besimin e tij për sa kohë nuk je në gjendje t’i japësh mundësinë që të bëjë zgjedhjen e vet”, tha ai.