Dorëheqjet në Kadastrën e Vlorës, Lleshaj: Po hetohet nëse ka arsye kriminale
Dorëheqjet e shpeshta në Kadastrën e Vlorës kanë bërë bujë në media dhe mbarë opinion publik.
Ministri Sandër Lleshaj tha në Protokoll se është duke u hetuar nëse pas këtyre dorëheqjeve ka arsye kriminale apo jo.
Ai tha se dorëheqjet nuk janë shoqëruar me denoncime dhe situata ‘teorikisht’ është normale, por që ka nisur një hetim për këtë.
“E kam dëgjuar këtë histori disi të pazakontë. Jam informuar që po merren masa nga organet përkatëse ligjzbatuese për të hetuar se çfarë është pas kësaj, se në pamje të parë kemi situata teknikisht korrekte. Shkon dikush pastaj jep dorëheqjen.
Çdokush ka të drejtë të japë dorëheqjen. Por për sa kohë dorëheqjet nuk janë shoqëruar me denoncime, për sa kohë policia apo prokuroria nuk janë kërkuar, nuk janë vënë në lëvizje, “teknikisht” korrekt. Duket e çuditshme por normale.
Në fakt nuk është normale dhe me sa di unë janë duke u bërë procedimet përkatëse për të shkuar në thellësi dhe për të gjetur se çfarë është pas kësaj.
Besoj që ata që merren me këtë punë në detaje, janë duke u marrë për të hulumtuar dhe për të kuptuar se cilat janë arsyet, ka një arsye kriminale apo janë arsye banale”, tha Lleshaj.