Finiq, drejt përfundimit rikonstruksioni i shkollës, 65 nxënës do të mësojnë në kushte bashkëkohore

Godina e shkollës 9-vjeçare të Finiqit kishte prej vitesh probleme me strukturën ndërtimore, duke krijuar probleme serioze jo vetëm në procesin e mësimdhënies, por edhe në parametrat e shëndetit të nxënësve dhe stafit pedagogjik. Prandaj kishte reagime të forta nga ana e prindërve për situatën që ishte krijuar.

Investimi i Qeverisë Shqiptare për rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare të Finiqit po shkon drejt fundit. Pikërisht një vit më parë kanë filluar punimet për rikonstruksionin e kësaj shkolle, e cila tashmë do të jetë në shërbim të nxënësve, të mësuesve, por edhe të prindërve të Finiqit dhe të fshatrave përreth.

Përgjegjësi teknik i objektit sqaron për Televizionin Publik se pas pak ditësh do të përfundojnë punimet për rikonstruksionin e plotë të pjesës kryesore të godinës së shkollës.

Përgjegjësi teknik i objektit, Hasan Loçi, u shpreh se “Tek shkolla e vjetër mund të hyjnë nxënësit, tualetet dhe ndriçimi janë në rregull sepse janë bërë instalimet e reja elektrike. Janë vendosur dyert e reja dhe lyerja ka përfunduar 100%. Pra, shkolla ekzistuese është e përfunduar dhe gati për t’u vënë në punë. Ndërsa pjesa e re ka për të vendosur dyert dhe 100 metra pllaka për t’u vendosur. Mendoj se po të na kishte mbajtur koha mund ta kishim përfunduar, por maksimumi brenda tetë ditëve përfundon. Boja na penalizon sepse nuk mund ta lyejmë me këtë lagështi që ka.”

Investimi prej 1 milion euro i Qeverisë Shqiptare për rikonstruksionin e plotë të shkollës është pritur pozitivisht jo vetëm nga Këshilli i Prindërve të 65 nxënësve, por edhe nga gjithë banorët e zonës.

Shkollat publike në Dropull kanë programuar dhe shumë shpejt do të fillojnë përgatitjet për aktivitetet e fundvitit. Madje, drejtuesit e shkollave mendojnë të shtrijnë aktivitetet artistike edhe në fshatra të tjerë të zonës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *