Sejkot “kthehen” sërish në Konispol, libri dhe dokumentet arkivore mësime historie për brezat
Në kuadër të programit “Mësojmë nga e kaluara”, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në bashkëpunim me Bashkinë e Konispolit dhe shkollën e bashkuar “Bido Sejko”, u mbajtën takimin e radhës të Klubit të Librit, përmes analizës së librit “Ringjallja e Sejkovëve” të autorit Ylli Polovina, mbështetur në dëshmi dhe dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit.
Zv.kryetari i Bashkisë Konispol, Julian Lako, falënderoi AIDSSH për nismën dhe njoftoi angazhimin e bashkisë për ngritjen e dy ambienteve muzeale kushtuar periudhës së komunizmit. “Konispoli ka nevojë të tregojë të vërtetën për të kaluarën e vet, jo për ta harruar, por për ta kuptuar dhe për të ndërtuar të ardhmen”, tha ai.
Anëtarët e Autoritetit, Gjergj Marku, Altin Hoxha dhe Skënder Vrioni, sollën në kujtesë fatin e dhimbshëm të Teme dhe Sokol Sejkos, duke theksuar se tragjedia e tyre është dëshmi e funksionimit të mekanizmit represiv të diktaturës.
Anëtari i Autoritetit, Altin Hoxha, falënderoi bashkinë, shkollën dhe familjarët e të përndjekurve për mbështetjen dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se “Klubi i Librit është pjesë e një programi që zhvillohet në të gjitha shkollat e Shqipërisë për të forcuar kujtesën historike”.
Ai shtoi se, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit, AIDSSH po punon që kujtesa të bëhet pjesë e kurrikulave shkollore.
Hoxha ndau një dëshmi rrëqethëse nga dosjet arkivore: njëzet vjet pas vdekjes së Teme Sejkos, Sigurimi i Shtetit hapi një hetim disamujor për të “vërtetuar” vdekjen e tij.
Hetimet, të urdhëruara nga diktatori, përfshinin dëshmi nga pjesëmarrësit në tortura dhe hollësi tronditëse të ekzekutimit. “Tragjedia e familjes Sejko është një pasqyrë e krimeve të komunizmit: një nënë që humbi burrin dhe djalin, dhe që në fund zgjodhi vetëvrasjen, pa e përballuar dot më dhimbjen”, tha ai.
“Dënimi i Teme Sejkos u përdor nga regjimi për të goditur strukturat e ushtrisë dhe për të ushqyer klimën e frikës brenda Partisë. Teme Sejko, kundëradmiral dhe komandant i Flotës Detare Shqiptare, u akuzua padrejtësisht në vitin 1960 dhe u pushkatua, ndërsa familja e tij përballoi një persekutim të gjatë dhe të dhimbshëm”, theksoi anëtari i AIDSSH-së, Gjergj Marku.
Dëshmi mbi historinë e familjes Sejko solli Skënder Vrioni, anëtar i AIDSSH-së, i cili tregoi se Sokol Sejko, djali i Teme Sejkos, u arrestua në vitin 1973 me akuza të sajuara për sabotim të Kombinatit të Tekstileve në Berat.
“Hetuesit nuk arritën ta përulin Sokolin, megjithëse e torturuan rëndë. Ai qëndroi burrërisht deri në fund dhe refuzoi të nënshkruante kërkesën për falje të jetës. Fjalët e tij të fundit para togës së pushkatimit ishin: ‘Ashtu siç nuk më latë të takoj babanë tim, ashtu edhe sot nuk e latë familjen time të takohet me mua. Afrohuni edhe pak, edhe qëlloni!’”, tha Vrioni.
Ai shtoi se tragjedia e familjes Sejko përfshin tre breza të flijuar: Teme Sejkon dhe dy vëllezërit e tij, Sokol dhe nëna e tyre, e cila, e dëshpëruar nga humbjet, u hodh nga kati i katërt i pallatit në Berat. Djali i vetëm i mbetur gjallë, Rajmond Sejko, u burgos për nëntë vjet në Spaç dhe, siç tha më vonë në një intervistë, “nuk arrij ta kuptoj as sot se çfarë i bëmë këtij shteti që na bëri këtë hata,” -tha ai.
Deputeti dhe historiani, Ardit Bido, nënvizoi rëndësinë e njohjes së fatit të familjeve të tilla.
“Fisi i Sejkovëve është ndër më të njohurit e Çamërisë. Kontributi i tyre për arsimin dhe pavarësinë është jashtëzakonshëm. Teme Sejko ishte patriot, por regjimi e shndërroi në armik për të mbjellë frikë. Këto aktivitete na ndihmojnë të themi me bindje se çamët e vërtetë ishin ata që mbrojtën atdheun”, tha Bido.
Ndërsa mësuesi i historisë, Alban Velo theksoi se, njohja e historisë lokale është mënyra më e mirë për të lidhur brezat me njëri-tjetrin dhe për të kuptuar më thellë të kaluarën.
Historiani Halil Shabani foli për të ashtuquajturin “komplotin çam” si një inskenim politik të përdorur për të eliminuar figurat më të spikatura të Çamërisë dhe nënvizoi rëndësinë e përkujtimit përmes monumenteve dhe muzeve, si forma të respektit ndaj së vërtetës dhe kujtesës kolektive.
Brunilda Çërraga, drejtuese e programit të edukimit në AIDSSH, theksoi se “vetëm duke ballafaquar dokumentin me kujtesën mund të kuptojmë dhimbjen e familjeve të ndëshkuara padrejtësisht. Të mësuarit nga e kaluara është forma më e lartë e pajtimit dhe e ndërtimit të qytetarisë mbi respekt e dinjitet njerëzor.”
Në përmbyllje, specialistja e Elona Baçi nga AIDSSH, tha se, “Arkivi nuk është thjesht vend ruajtjeje, por hapësira ku zëri i së vërtetës rizgjohet dhe bëhet pjesë e ndërgjegjes kolektive. Libri ‘Ringjallja e Sejkove” është një proces ringjalljeje të kujtesës dhe një akt drejtësie simbolike”.

