Politikë Paketa e Maleve/ Rama kritika kryebashkiakëve: Pse nuk keni dorëzuar hartat me zonat prioritare?
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Vendor, Ervin dhe ajo e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka mbledhur sot në takim të gjithë kryebashkiakët e Shqipërisë për të diskutuar mbi vijim e Paketës së Maleve, e miratuar në fillim të këtij viti dhe që synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të vendit.
Rama ka kërkuar nga kryebashkiakët që të dorëzojnë sa më shpejt hartat e zonave prioritare duke i kritikuar për neglizhencë dhe duke lënë në pritje një numër të madh personash që kanë shpallur interesim për të investuar nëpërmjet Paketës së Maleve.
“E pamë të udhës ta bëjmë këtë takim publik sepse ne besojmë që bëhet fjalë për një politikë nxitëse për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore. Fakti që në ditën e parë që u hap kanali i komunikimit online lidhur me këtë paketë, pati 800 shprehje interesi, nga shumica dërrmuese shqiptarë jashtë Shqipërisë, flet vetë për fuqinë tërheqëse që ka kjo paketë.
Bëjmë takimin sepse kemi shqetësimin që po ecën me një ritëm të ulët në raport me atë që paketave që ka në thelb, shpejtësinë. Shpejtësinë në kuptimin e një burokracitë të lehtësuar maksimalisht dhe shpejtësinë e mundësisë për t’i dhënë përgjigje të shpejta atyre që kanë shprehur interes. Kjo vonesë është dekurajuese për ata që e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në proces prej disa muajsh nuk kanë marrë përgjigje. Kjo është e kundërta e frymës me të cilën u konceptua dhe u aprovua kjo paketë”, tha Rama.
Rama gjithashtu ka urdhëruar ngritjen e një task-force të përbërë nga 3 persona, e cila do të shërbejë për t’i ardhur në ndihmë, apo për t’i lehtësuar procedurat personave që kanë shpallur interesim për të qenë pjesë e 500 të parëve që do t’i miratohet leja për të invesuar. 500 investitorët e parë përfitojnë një kontratë 10 vjeçare ku për këtë periudhë kohore, nuk do të paguajnë asnjë taskë në shtet.
“Duhet të ngrini një task forcë në çdo bashki me 3 persona që t’i rrinë pronto njerëzve që shprehin interesin. 500 të parët që do të marrin kontratën 10 vite nuk do të paguajnë asnjë lloj takse. Duhet t’i ndihmoni të jenë të 500 të parët”, tha Rama.

