Personazh: Murg në Kështjellën e pikturës

Nga Thoma Nika

Një Shtëpi Arti që ka Saranda, është puna dhe shtëpia e tij. As nuk e bleu, as e legalizoi, siç ka ndodhur rëndom tek ne në këto dekada privatizimesh absurde. Shqipëria është i vetmi vend në rruzull, ku ti vendos tabelën “tokë e zanun” dhe shteti vetë ngre një strukturë që të paligjshmes i vë vulë ligjore e të bën pronar. Kur në shumicë ndodhte që i “vihej syri” një prone dhe menjëherë niste bërja e letrave, Lefteri do vinte me pushime në Sarandën e lënë me vite, për të emigruar. Dhe duke shetitur para Bar “Riviera”, i vetëtiu ideja: po sikur ish-taverna e peshkut, në katin përdhes, të bëhej Galeria e Qytetit?! Po si? Me “urdhër të peshkut”? Mes dilemash dhe plot droje, siç e ka tipin, por nuk e la dëshirën të “ftohej”. Ta bëje Sarandën me Galeri? Ide sa e bukur, aq edhe utopike (!). Edhe se e tillë, ajo e kishte një shans që të merrte udhë: objekti ishte në listën e pronave Bashkiake. Ndaj e vendosi të trokasë në derën e qytetarit të parë të kohës, Stefan Çipës. Për habinë e tij, ai u entuziazmua nga ideja e piktorit. Por i vuri edhe një kusht:

– Tavernën e peshkut e bën Galeri, vetëm mendja dhe dora jote, Lefter. Lere Athinën dhe eja ta bëjmë.

Vendim i vështirë ky. Të linte familjen atje dhe vetë të kthehej e t’i jepte dritë qytetit të zemrës, me një Galeri të munguar?! E vështirë, por e bëri. Dhe ndodhi që, për herë të parë pas shumë vitesh, çelja e sezonit të ri veror, erdhi në Sarandë edhe me hapjen e dyerve të kësaj Shtëpie Arti. Mjedisi i nëndheshëm, tavernë peshku nga më të frekuentuarat në kohën e komunizmit, mori tërësisht funksionet e një Galerie të artit pamor. Nga një depo vjetërsirash, për vite me radhë, ajo u kthye në thesar vlerash dhe mbresash, që vijnë nga arti i penelit dhe i daltës.

Ideja me mundësinë duheshin bashkuar në një të vetme. Po nga t’ia niste? E nisi nga apeli që u bëri miqve të vet të penelit e të daltës. Punëve të tij më të mira, u shtoi ato të Niko Godrolit, Vasil Kaçit, Odise Papës dhe Spiro Shtukës. U bënë pesë autorë të mjaft punëve të spikatura qysh në monizëm, të cilët nuk mundi t’i ndante nga Saranda as emigrimi i gjatë në Greqi. Doli që lidhjet e tyre me qytetin e origjinës nuk qenkëshin punë bojërash e vijash mbi telajo, apo punë dalte mbi gur. Jo, ato ishin shpirtërore. E arti i tyre, duke jetuar larg Sarandës, u bë edhe më i afërt me motivet e saj. Me valën që përplaset mbi shkëmb, me pulëbardhat mbi det, me kthimin e peshkatarit nga gjuetia, me limanin e vogël të qytetit, me skulpturat e vjelëseve të portokalles apo endësen e qilimave, që kishin mbetur të vetmuara dhe të dëmtuara, në lulishtet e qytetit, që kishin lënë prapa, për shkak të emigrimit. Kjo dashuri, e konvertuar në art, i risolli ata në Sarandën e tyre. 72 punë, të teknikave të ndryshme, në pikturë e skulpturë, u bënë veshja e parë për muret e kësaj Galerie. Nga 12 vite më parë, ajo nisi të flasë me gjuhën e artit me sarandiotët.

Vetë Lefteri, që u bë themelues i kësaj Galerie, u bë njeriu që afroi artistë të shumtë e të vërtetë rreth kësaj ideje, të kthyer në lëvizje.

Sepse ai ka një staturë artisti, që jep besim dhe, në vend të fjalës, i “ngjit” puna e mirë, e përsosur deri në detaje. Vinte nga një eksperiencë e admirueshme. Ai spikati për talent dhe finesë piktori dhe skenografi për skenat e lehta dhe me simbolikë shprehëse, që i ofroi premierave të trupës së Estradës Profesioniste të Sarandës. Shkurt, drita dhe boja në majën e penelit të tij dhe skicimet e dorës së tij prej skenografi, bëhen poezi e ngjyrës.

Kjo ishte e njohur. Por nuk ka qenë aspak e lehtë të ngrije një Galeri që do të funksiononte sipas një kalendari rigoroz, me 8 e 10 ekspozita qarkulluese në vit, apo të krijoje fondin e saj me “donacion” nga autorët që ekspozuan punë nga Shqipëria e Kosova. Aspak e lehtë nuk ishte të vishje muret e Galerisë “Art-Saranda” në dy edicione, me vepra artistësh të mëdhenj nga fondi i Galerisë Kombëtare, apo me punë që firmosen nga emra botërorë të Kolonive Ndërkombëtare të artistëve.

Në kufijtë e utopisë, ishte të realizoje një Atelie në natyrë skulpturash buzë detit, përmes një konkursi ndërkombëtar dhe punës krijuese të zhvilluar në sytë e publikut, në rërën e plazhit. Aspak e lehtë, t’i kthesh mjediset e Galerisë në vend të organizimit të eventeve me fokus artin dhe artistët. E po aq e guximshme, që kjo Shtëpi Arti, të bëhet paradhoma e shkollave mirëfilli artistike, për moshat fëminore.

E tëra kjo vepër shumëdimensionale që kemi sot në Sarandë, nuk mund të bëhej pa cilësitë e rralla të Lefter Çekos: si piktor i frymëzuar e i talentuar, si zbulues dhe nxitës i shkëndijave dhe i zhvillimeve në fushën e artit pamor. Por edhe si organizator i përkushtuar, përtej të imagjinueshmes.

Përndryshe, Çeko nuk do të ishte bërë kaq i njohur si pronar “pa letra” i kësaj Shtëpie Arti, apo si “kryefamiljar” me sjellje e me ndjesi të tilla ndaj saj. Përndryshe, as do të mund të mendohej e besohej se përse në 12 vite jetë të Galerisë “Art-Saranda”, janë organizuar më shumë se 60 ekspozita, me 5500 vepra të ekspozuara, ndërkohë që fondi i saj po shkon në 300 vepra.

E prapë Lefteri, modestisht, thotë për veten:

– Vërtet mbarova Akademinë pët pikturë dhe skenografi, por Saranda na bëri artistë të vërtetë, natyra e saj dhe mjedisi njerëzor na dhanë diplomën që nuk mund të na e jepte asnjë Akademi.

Një “supliment” të Galerisë së Artit, mund ta gjeje edhe në një faqe muri të zyrës së Qytetarit të Parë të Sarandës. Ishte një peizazh bardhezi i Sarandës, parë nga një kënd dhe në një moment që rrallëkush e sheh.

– Nuk e kanë këtë shans gjumashët- thotë Lefteri- Duhet të kesh sy të hollë dhe të çohesh herët, për ta parë Sarandën kështu- shpjegohet ai, duke treguar se si e kapi këtë moment.

Çdo ditë e jetës së tij ka ngacmime dhe përmbajtje arti. Kujton se koha e Covid ishte më “e arta” për t’u ngulur në punë, pa u shqetësuar nga askush, përveç virusit. Karantina e detyruar dhe kontaktet e rralluara me njerëzit, kompensoheshin me “gërmime” në galerinë e fotove nga momente frymëzuese e të arkivuara në telefonin celular. Akoma më tej, duke “gërmuar” në arkivin e fotove familjare. Tregon se syri i mbeti tek një foto e 1918-1920. Covidi e çoi të kujtojë vitet e kolerës që ra atëherë në fshatin e tij në Kostar.

– U mori jetën 23 vetëve në fshat ajo kolerë- thotë ai-. Por jeta nuk u ndal as në gëzimet e veta. Gjyshja dhe gjyshi i tij në ato kohëra kolere vunë kurorë dhe gjyshen e morën nuse kaluar në kuaj, e shoqëruar me pajë, pa i lënë gjë mangut zakonit, pavarësisht kolerës.

Ky motiv nuk mbeti pa u skicuar prej tij në kohë Covidi, për të nënvizuar se historia përsëritet dhe për të kujtuar se jeta duhet jetuar e përjetuar në çdo rrethanë.

Shpesh Lefterin e gjen të ecë i vetmuar në shetitore. Duket sikur bën monolog. Në fakt flet me valën, me peshaktarët, me dallgën, me pulëbardhat, me lindjet, me muzgjet e perëndimet, me grimcat e rërës…

“Saranda është magji, të bën artist me se s’bën”- përsërit ai në ekzaltim.

Për atë arti pamor është një kështjellë, ku ai është një banonër. Ndërsa për ne Çekua i penelit dhe i formave fine, është Murgu i kësaj Kështjelle.