I kërkuar në Sarandë për plagosje të rëndë, kapet në Greqi, por policia e liron

Jani Bekari, është kapur nga policia greke mëngjesin e 22 janarit në Rodos. Ndaj kishte një urdhër ndalimi të lëshuar nga Prokuroria e Thesprotisë pas vendimit të Gjykatës së Sarandës për dënimin e tij me 3.5 vite burg në vitin 2018 për “plagosje e rëndë me dashje”.

Ngjarja për të cilën akuzohet Bekari ka ndodhur në 25 mars 2017 në fshatin Gravë të Bashkisë Finiq, ku Bekari ka dhunuar me grushte e sende të forta një çift bashkëshortësh. Por edhe pse pas kapjes në Greqi, ai u dërgua në burgun e Hanias, mësohet se Bekari ka lënë qelinë ditët e fundit me vendim të Gjykatës së po këtij qyteti.

Bekari përmes avokatit të tij Dhimitris Berberis, ka kërkuar lirimin nga burgu pasi dënimi i dhënë nga Gjykata e Sarandës është parashkruar. Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata e Hanias, e cila ka urdhëruar lirimin e 52-vjecarit.