Personazh 2024: Çifti i pleqërisë së bukur…

Nga Thoma Nika

Spiroja dhe Leta ndjekin pothuaj të njëjtin ritual, si shumica e të moshuarve të Sarandës: shetisin buzë detit, bëjnë ecjen gati të përditshme në bulevard, ulen të çlodhin këmbët në stolat shumëngjyrësh. Dhe prej andej i gëzohen ditës së re, duke marrë rreze diellore dhe aromë jodi.

Por ata të dy janë një çift të moshuarish që, mes të moshuarve të shumtë, bien në sy si të veçantë. Ndoshta se janë fytyra simpatike, ndoshta se vishen bukur apo sillen bukur, ndoshta se shetisin si të porsadashuruarit, duke mbajtur për krahu njeri-tjetrin.

Të gjitha bashkë bëjnë një arësye të vetme, që ata të bëjnë përshtypje.

Spirua tregon se tërë jetën është kujdesur jo që të bjerë në sy, por të ushqehet dhe të vishet sa më mirë të mundet

Si ish punonjës i strukturave ushtarake të sistemit monist, Spiro Gjikës i është dashur të ndërrojë disa qytete ku ka shërbyer e jetuar, si në Tiranë, në Elbasan e Berat.

Në Berat i lindi dashuria edhe për bashëudhëtaren e jetës, Letën, që është një korçare tipike, e dallueshme edhe në mjedisin e Sarandës. Sarandën e zgjodhën si qytetin më të përshtatshëm për të kaluar vitet e pleqërisë së bukur.

Këtë vit bëjnë plot 53 vite bashkë, në martesë. Dhe kudo i sheh bashkë. Si një çift, që edhe të moshuar, janë të bukur.

Buzë shetitores janë të shumtë ata që e dinë se ku është stoli i tyre, aq sa i thonë “Stoli i Spiros” dhe druajnë të ulen, se mos vjen çifti i bukur
Dy dashuritë e tjera të tyre, që janë dy djemtë, i kanë larg. Ata jetojnë e punojnë në Gjermani. Spiro thotë se ata janë një telefonatë larg tyre, në kuptimin që në rast nevoje, marrin avionin dhe vijnë.

E megjithëkëtë, largësia mbetet largësi dhe përditshmëria plrditshmëri. Por mungesa e krijuar nga largësia e djemve dhe e njerëzve të tjerë të afërm, nuk është lënë bosh. Duke parë tek ky çift të moshuarish njerëzit e mirë, ata gjenden të rrethuar nga kujdesi dhe vëmendja e fqinjëve të të njëjtit pallat. Një prej tyre është biznesmeni Hamdi Previzi, që ndryshe i thonë “shkodrani i Sarandës”.

Spirua është me origjinë, edhe nga një fshat i bukur i Sarandës, nga Mursia, me liqen përpara. Në këto dekada e njohur ndryshe edhe si Toka e Mandarinave.
Thotë se është fshat me emër e histori. Por një muze ku do të mund të shpalosej kjo histori, këtij fshati i mungon. Prapë Spirua e nisi nga vetja mbushjen e këtij boshllëku. Një kat të shtëpisë që trashëgon në Mursinë e tij, e ktheu në Muze të Familjes. Ai merr stekën treguese dhe bëhet një ciceron i shkëlqyer në stendat e këtij muzeu.

Çifti Gjika i të moshuarve të bukur, nuk i dorëzohet pleqërisë, duke shkuar herë pas here edhe në Mursi.
Duke mos toleruar shetitjet buzë detit në verë dhe në dimrin e butë të Sarandës, kur çiftin e të moshuarve të bukur e gjen po atje: te “Stoli i Spiros”.