Personazhi 2024: Kono Dhima ose njeriu-gëlqere

Nga Thoma Nika

Kono Dhima mund të rrinte rehat e të gëzonte pensionin, të cilin ka vite që e merr. Por ai nuk e njeh pushimin dhe nuk i ndahet punës së bojaxhiut. Me kominoshe pune me tiranta, me kapelen mbi sy, dhe me pompën e shkallën në sup e me furçën në dorë, ai është bërë i njohur në tërë qytetin e Sarandës, si Njeriu-Gëlqere.

Ai thotë se lyen edhe me hidromat e si t’ia kërkojnë porositësit, por si gëlqerja për atë nuk ka: është jetë, shëndet dhe pastërti njëhersh shprehet usta Konua.
Puna që bën më me qejf është lyerja me gëlqere e mjediseve të përbashkëta të pallateve. Por ai e gjen kohën e gëlqeren për t’u dhënë një dorë edhe trungjeve të pemëve dekorative në trotuare.

– Më ka mbetur që nga koha kur isha bojaxhi në Bashkinë e qytetit,- thotë ai

Ndjehet i vlerësuar nga bashkëqytetarët si bojaxhiu me eksperiencën më të gjatë në këtë profesion, që bën punë të pastër dhe me çmime të përballueshme nga çdo familje. Kjo, thotë ai, është arësyeja që është shumë i kërkuar dhe rrallë ndodh të ketë ditë që të mos jetë i zënë me punë. Nuk është ai që e kërkon punën, por puna e kërkon atë.

Dhjetori ka qenë veçanërisht i ngarkuar me punë për usta Konon, pasi sarandiotët duan ta presin Vitin e Ri me bardhësi, me shëndet e pastërti. Me këto të tria lidhet edhe urimi i tij për vitin 2024.
Kono Dhima ka një jetë të tërë, përfshi edhe vitet e pensionit, që u jep bardhësi shtëpive të Sarandës, brenda e jashtë.

Për këdo që e njeh Konon në qytetin bregdetar, ai mbetet ustai simpatik, simbol i shpirtit të bardhë si gëlqerja dhe simbol i punëtorit të pafjalë, që i flet puna.