Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak, dështon sërish seanca ndaj Fredi Belerit

Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm është shtyrë seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili ka kërkuar leje për t’u betuar.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë paraqitja e përfaqësuesit ligjor të burgjeve pa prokurë të posaçme.

Beleri apeloi vendimin e shkallës së parë, që e rrëzoi kërkesën e tij. Seanca u shty për të mërkurën e ardhshme, datë 24 janar.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, nën akuzat për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Prokuroria pretendon se është provuar tej çdo dyshimi se Beleri i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë para për votat që ai do të siguronte për të në zgjedhje. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.