Qendro: Mbi 546 mijë udhëtarë në 10 muaj në Portin e Sarandës
Qyteti bregdetar i Sarandës me bukuritë e tij natyrore dhe arkeologjike ka shënuar një numër të lartë vizitorësh gjatë këtij viti.
Një nga pikat kryesore të hyrjes për në Sarandë është porti, i cili gjatë këtij viti ka përpunuar një numër të lartë udhëtarësh.
Drejtori i Portit të Sarandës, Alket Qendro tha sot për ATSH-në se “në Portin e Sarandës gjatë periudhës janar-tetor kanë hyrë dhe kanë dalë 546 655 udhëtarë të huaj dhe shqiptarë, ndërsa në 2022 kanë hyrë dhe kanë dalë 360 867 udhëtarë”.
Sipas tij, në këtë 10 mujor është rritur përpunimi i pasagjerëve në port, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Vetëm në muajin tetor kanë hyrë 15 531 udhëtarë, ndërsa 16 554 kanë dalë nga ky port”, tha Qendro.
Qendro tha se muajt korrik dhe gusht kanë shënuar një fluks të lartë hyrje të pasagjerëve.
Saranda vijon të jetë një ndër destinacionet kryesore të turistëve vendas e të huaj. Ajo është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.