Ministria e Kulturës vendos kur do të zhvillohet Festivali në Gjirokastër

Pas raportimeve në media se Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër nuk do të organizohet këtë vit për shkak të situatës së vështirë financiare të krijuar nga tërmeti, duket se gjërat kanë lëvizur për mirë.

Organizimi i festivalit është shtyrë për në muajin shtator të këtij viti.

“Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, manifestimi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë shpirtërore, do të zhvillohet në muajin shtator 2020, në Kalanë e Gjirokastrës.
Pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 vendi u përball me një situatë të jashtëzakonshme, ku primare ishte akomodimi i menjëhershëm 17 mijë banorëve dhe hartimi i projekteve të rindërtimit.

Në këtë situatë u vendos që festivali të organizohet në muajin shtator.

Ky festival është shembull i shpirtit krijues të shqiptarëve dhe vitalitetit , i aftë për t’u ringritur pas çdo vështirësie”, shkruan ministrja Kulturës, Elva Margariti.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Ai zhvillohet çdo pesë vjet në Kalanë e Argjirosë.