Ndahet nga jeta shoferi i shquar i Sarandës, Thimjo Gazeli

Nga Thoma Nika

Në Athinë, ku jetonte prej vitesh me familjen e vet, është ndarë dje nga jeta Thimjo Gazeli, shoferi
i shquar i Sarandës, që u bë i njohur në të gjithë vendin.

Në kujtesën e secilit, Thimjua mbetet shoferi Hero i Sarandës, njeriu që shërbeu anembanë Shqipërisë e cep më cep rrethit të dikurshëm të Sarandës dhe që u gjendej njerëzve me punën e mirë dhe me fjalën e mirë.

Kjo trashëgimi e bën më të lehtë peshën e hidhërimit për ndarjen e tij nga jeta, nga familja dhe të dashurit e miqtë e panumërt, që kishte në të gjithë vendin e jashtë tij.

Thimjo Gazeli lindi në majin e 88 viteve më parë në fshatin Sirakat. Pati një fëmijëri dhe rini të mbushur me sakrifica, pasi u rrit në një familje me gjashtë fëmijë dhe në kohë të vështira. Profesionin e shoferit e mori me shumë dëshirë e pasion dhe pjesa më e madhe e jetës i kaloi në timon, rrugëve të Atdheut.
Formimi ishte i tillë, që e përgatiti për t’iu bërë krah familjes qysh në moshë të re, përmes punës dhe “vjedhjes” së profesionit të shoferit, të cilin, nga pasioni e ktheu në profesion.

Ai u shqua në këtë profesion si njeriu që punoi për vitet që akoma nuk kishin ardhur. Kështu kur punoi në Parkun e Durrësit e sidomos në Parkun me emër të Sarandës, ku u bë Heroi i rrugëve të gjata e të vështira.
Dhe puna e tij shoqërohej me korrektësinë shembullore dhe me vendosje të lidhjeve shpirtërore me njerëzit. Kishte një mënyrë të vetën për ta hequr lodhjen: buzëqeshjen e pahequr nga fytyra , urtësinë dhe mirësinë që e dallonte.

Thimjua e lidhi jetën me Eftiqinë nga Kostari. Të dy ishin dhe mbetën njerëz të punës. Dhe me punë ngritën mbi themele të shëndosha familjen. Sollën në jetë Kristaqin, Timoleon dhe Majlindën, të tre fëmijë të mbarë, me dashuri për punën e të respektuar në shoqëri.

Ashtu të qetë e pa zhurmë, siç kishte jetën, bëri edhe vdekjen Heroi Thimjo Gazeli. Ai mbylli sytë si për gjumë pas mesditës së djeshme në banesën e tij në Athinë. Pa asnjë dhimbje, pa asnjë ankesë, i mbushur me jetë e i kënaqur nga jeta.

Familjarët tregojnë se gjatë këtyre ditëve, nga miq të shumtë në Athinë dhe nga Saranda e tyre e dashur e nga çdo vend, kanë marrë fjalë ngushëlluese, telefonata dhe mesazhe të shumta, të cilat ua kanë lehtësuar dhimbjen e humbjes.

Përcjellja e tij bëhet ditën e nesërme në Athinë.