Arrestohen dy persona në Dhërmi, policia jep detajet

Dy persona janë arrestuar nga policia në Dhërmi pasi u kapën me disa doza kanabis dhe kokainë.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Finalizohet një tjetër operacion antikanabis, i koduar “Dhërmiu”. Goditen dy raste të tjera të posedimit të lëndëve narkotike dhe një rast i tentativës për kultivim të kanabisit.

Policia vë në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen dhjetëra doza kanabis dhe kokainë, asgjësohen fidanë kanabis.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve,  shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet, jo vetëm në territor, për parandalimin e kultivimit të kanabisit, por edhe për personat që qarkullojnë me automjete që dyshohet se shpërndajnë lëndë narkotike në doza të vogla.

Shërbimet e Policisë, pas kontrollit të ushtruar në Dhërmi, në automjetin “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin B. Xh., kanë gjetur dhe sekuestruar 2 doza lëndë narkotike të llojit kokainë. Kontrolli ka vijuar edhe në banesën e këtij shtetasi në Dhërmi, ku janë evidentuar të mbjellë edhe disa fidanë kanabis.

Në përfundim të këtyre veprimeve, shtetasi B. Xh., 28 vjeç, banues në Dhërmi, Himarë, u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjithashtu, në vijim të këtyre kontrolleve, në ambientet e një karburanti, Policia ka arrestuar në flagrancë edhe shtetasin E. T., 23 vjeç, banues në Dhërmi, pasi nga kontrolli i ushtruar, iu gjetën të fshehura 54 doza me lëndë narkotike të llojit cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme” njofton policia.