EMRI/ Aksidenti i të martës: Arrestohet pronari i bensit…

Burime nga policia e Sarandës bëjnë me dije se është bërë arrestimi i

shtetasit Orest Kalo, 41 vjeç, pronar i mjetit tip Bens me të cilin udhëtonin të miturit ku ndodhi aksidenti në aksin rrugor Stjar -Bajkaj. Ndërsa ndiqet në gjendje të lirë drejtuesi i mjetit 14 vjeçari Orges Kalo.

Njoftimi i policisë

Sarandë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në afërsi të fshatit Bajkaj, si pasojë e të cilit u dëmtuan 3 shtetas të mitur (drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerët, të cilët vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve), ju informojmë se:

Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin O. K., 41 vjeç, banues në Delvinë, pasi i ka dhënë për ta drejtuar, djalit të tij të mitur, automjetin që u përfshi në këtë aksident rrugor.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin e mitur, drejtues të automjetit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.