Himara dhe Konispoli, bashkitë e betejës rreth Censit

Nga Eduard Zaloshnja

Teksa Edi Rama bën beteja diplomatike në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth konfliktit vdekjeprurës Rusi-Ukrainë, në truallin tonë të vogël arbnor po bubron një betejë e nëndheshme për etnicitetin e dy bashkive të vockla – Himarës dhe Konispolit. Një betejë që ka nisur me regjistrimin në terren nga INSTAT-i të banorëve aktualë të Shqipërisë – regjistrim i njohur me emrin latin “Census”.

Dy bashki të tjera të vockla – Dropulli dhe Finiqi – janë tashmë zyrtarisht bashki që kanë status të veçantë si bashki me minoritet grek, sepse mbi 20% e popullsisë atje është e vetdeklaruar si greke. Por duket se qarqe greke në Athinë duan që edhe bashkitë Himarë e Konispol të njihen si të tilla.

Prof-ass Ardit Bido ka publikuar së fundmi një studim shkencor të tij rreth bashkive të sipërpërmendura, ku, duke analizuar thellësisht çështje të identitetit historik të banorëve të tyre dhe të krahinave përrreth, ka mbërritur në përfundimin se në 23 fshatrat që përbëjnë Bashkinë Himarë, maksimumi i vetëdeklarimit të vërtetë të etnisë greke mund të arrijë deri në 11.5%. Ndërsa në 3 ish-komunat që përbëjnë sot Bashkinë Konispol, Bido arrin në maksimumin e 13% të vetëdeklarimit të vërtetë të etnisë greke.

Në fakt, votimi më 25 prill 2021 në territorin e bashkive Himarë e Konispol na jep indicie se përqindjet ndoshta janë edhe më të ulta se sa të Prof-ass Bidos…

Zgjedhjet e 25 prillit 2021 u zhvilluan në kushte tejet specifike. Për shkak të pandemisë, mbyllja e kufijve tokësorë nuk u dha mundësinë mijra minoritarëve grekë me banimim në Greqi që të vinin e të votonin këtu (ata jetojnë atje, por vijnë zakonisht me autobuzë nga Greqia për të votuar në Shqipëri). Si rrjedhojë, vetëm minoritarët grekë me banim këtu votuan më 25 prill 2021.

Në territorin e 23 fshatrave të Bashkisë Himarë, vetëm 10% votuan më 2021 për kandidatin e PBDNJ-së të përfshirë në listën e përbashkët të PD-An (kjo e fundit mori gjithsej 32% të votave atje). Balancimi elektoral mes kandidatit shqiptar të PS-së dhe kandidatit minoritar të PD-së në garën për kryebashkiak dy vjet më vonë ndodhi vetëm prej autobuzëve të shumtë me votues që erdhën nga Greqia para zgjedhjeve të 14 majit (sepse pandemia kishte kaluar…).

Në territorin e 3 ish-komunave që përbëjnë aktualisht Bashkinë Konispol, vetëm 9% votuan më 2021 për kandidatin e PBDNJ-së të përfshirë në listën e përbashkët të PD-An (kjo e fundit mori gjithsej 34.5% të votave atje). Dy vjet më vonë, edhe pse autobuzë të shumtë me votues erdhën nga Greqia para zgjedhjeve të 14 majit të këtij viti, epërsia e mazhorancës socialiste nuk u thye dot…

Uroj që INSTAT-i të bëj një regjistrim sa më rigoroz të popullsisë në çdo cep të Shqipërisë, por sidomos në bashkitë Himarë e Konispol. Sepse analizat historike dhe elektorale na japin indicie të forta që minoritarët grekë në këto dy bashki sensitive jane shume poshte 20-përqindëshit të pretenduar nga qarqet greke në Athinë…