Kumbaro: Nisim përgatitjet për sezonin turistik 2024

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot me kryetarët e bashkive bregdetare dhe me prefektët mbledhjen e parë për koordinimin e punës mbi sezonin 2024, me prioritet menaxhimin e vijës bregdetare.

“Çdo vit e më herët, siç e kemi vendosur tanimë standard, pa u mbyllur një sezon i përkushtohemi punës për përgatitjen e tjetrit”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Kumbaro bëri të ditur se procesi i ndarjes së parcelave që administrohen nga subjektet private do të kryhet brenda këtij viti.

“Caktojmë prioritetet e qarta duke filluar nga siguria në plazhe dhe po ashtu rakordojmë kalendarin e aktiviteteve, që këtë vit erdhi me aplikacionin TEA. Pas këtij viti që edhe shifrat e tregojnë se është më i miri ndonjëherë për turizmin shqiptar, edhe më të madhe e kemi përgjegjësinë për të siguruar standardet, por të sigurt që me komunikim të pandërprerë dhe koordinim të të gjithë institucioneve ia dalim më së miri”, tha Kumbaro.

Shqipëria gjatë 8 muajve të parë të këtij viti ka shënuar një numër rekord turistësh. Gjatë vitit 2023, përveç shifrave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një “bum” të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.