Manastirliu: Mbi 100 qytetarë marrin shërbim çdo ditë në spitalin e Sarandës

Në këtë periudhë kur qyteti i bukur i Sarandës po pret me mijëra turistë dhe pushues edhe ekipi i Urgjencës të Spitalit Sarandë po përballet me një fluks të shtuar rastesh që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.

Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu teksa ndau në rrjetet sociale ekipin shëndetësor të Urgjencës të Spitalit Sarandë.

“Çdo ditë, mbi 100 qytetarë vendas e të huaj marrin shërbim në spitalin e Sarandës, nga një ekip profesionistësh të përkushtuar”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu shprehu mirënjohje për  skuadrën e Urgjencës me dr. Ina Daja, kryeinfermiere Lime Mihasi, infermierët Islam Liçi, Eva Sulo, Trëndelina Muço, Violeta Sulla, Endrit Hakarepi, Armando Hoxha dhe sanitare Marjeta Halili.

Spitali i Sarandës me sallat supermoderne për ndërhyrjet kirurgjikale dhe fuqizimin e stafit të specializuar, ka plotësuar nevojat e banorëve të skajit jugor, duke iu përgjigjur edhe emergjencave shëndetësore gjatë sezonit veror.