Fluks turistësh në Butrint, Elmazaj: Rreth 69 mijë vendas e të huaj, kryesojnë italianët
Butrinti, 20 km larg Sarandës vijon të mbetet një ndër sitet arkeologjike më të vizituara nga turistët vendas e të huaj.
I konsideruar si një nga destinacionet që vizitohet nga adhurues të historisë së lashtë, ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike.
Drejtori i Parkut kombëtar të Butrintit, Everest Elmazaj, tha sot për ATSH-në se “nga janari deri tani Butrinti u vizitua nga 68 962 vizitorë vendas e të huaj”.
Elmazaj u shpreh se “fluksi i vizitorëve çdo vit vjen e rritet. Konkretisht në krahasim me vitin e kaluar rritja e numrit të turistëve është 23 655 ose 52%”.
Elmazaj vuri në dukje gjithashtu se “nga 68 962 turistë, 38 647 janë të huaj, kryesisht italianë, spanjollë, polakë, francezë’.
Sipas tij, në fillim të sezonit Butrinti ka qenë i preferuar i turistëve nga vendet nordike.
Për rreth dy orë turistët njihen me epoka të ndryshme të historisë, të gjitha brenda një vendi. Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Madhështia e këtij vendi kishte mbetur e fshehur deri në vitin 1927. Zbulimet e para arkeologjike filluan me Misionin Arkeologjik Italian.
Kjo sipërmarrje filloi gërmimet në atë që do të ishte një prej qyteteve më antike të Shqipërisë. Punimet filluan në vitin 1928. Ndonëse punimet arkeologjike asnjëherë nuk kanë përfunduar, mendohet se ajo që shohim sot mund të jetë me shumë mundësi vetëm një e pesta e asaj që ndodhet nëntokë.
Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti).