Balluku në tunelin e Llogorasë: Puna drejt përfundimit, hapen 5.5 km

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të rëndësishme inxhinierike, do të jetë hapur në të gjithë gjatësinë në fund të muajit janar të vitit që po vjen, pasi deri tani janë hapur 5.5 km nga 5.9 km që është gjithsej.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë pa sot nga afër ecurinë e punimeve në këtë tunel.

Balluku theksoi se punimet pritet të përfundonin në fund të muajit shkurt, por ecuria e mirë e punimeve bëri që hapja e tunelit të përfundonte më shpejt.

“Ecuria e punimeve është e shkëlqyer. Janë hapur 5.5 km, ndërsa kanë mbetur për tu hapur edhe rreth 500 m. Pas hapjes së tunelit na pret një fazë e rëndësishme, që është betonimi pjesa elektromekanike ku përfshihet ndriçimi, ventilimi dhe rruga lidhëse dalja nga tuneli në krahun e Palasës prej 1.2 km”, tha Balluku.

Balluku theksoi se tuneli ishte kthyer në ëndërr, ndërsa investitorët kanë nisur tashmë investimet në bregdetin e jugut.

“Ky tunel përbën një arritje të madhe për zhvillim ekonomik të jugut të Shqipërisë dhe lidhjen infrastrukturore që do të bëhet me Aeroportin e Vlorës. Të dy këto vepra do të ndihmojnë njëri-tjetrin. Aeroporti do të marrë të gjithë mundësinë për të pasur trafikun e duhur, sepse automjetet dhe autobusët me turistë do të kalojnë nga tuneli i Llogorasë dhe tuneli do të ndikojë në numrin e turistëve që do të ulen në Aeroportin e Vlorës dhe jo më në Tiranë“, deklaroi Balluku.

Kreu i ARSH-së, Evis Berberi bëri të ditur se puna po ecën paralelisht ehe për ndërtimin e tunelit ndihmës ku në të dy frontet janë hapur nga 1.7 km tunel.

“Duke u nisur nga fakti se po ecim me një ritëm prej 25 m në ditë, drita do ta përshkruajë të gjithë tunelin në fillim të muajit shkurt të vitit 2023”, tha Berberi.

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë me gjatësi 5.9 kilometra ka nisur më 14 nëntor të vitit 2021.

Tuneli i Llogorasë nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës. Me një shpejtësi 50-80 km/orë, rruga do të përshkohet për 7-10 minuta.