DETAJET/ Bashkia Sarandë: Turizmi, kryetema e bisedës me diplomatin grek

Kryebashkiaku Adrian Gurma ka patur sërish rastin të presë në një takim në zyrën e vet, Konsullin e Përgjithshëm të Konsullatës së Greqisë në Gjirokastër, Dimitrios Sacharidis.

Turizmi ishte kryetema e bisedës së zotit Gurma me diplomatin grek Sacharidis.

Mes tyre u bisedua për veçoritë dhe pritshmëritë për sezonin turistik të këtij viti, mbi projektet e përbashkëta me fokus turizmin e sidmos për mundësitë e reja që hap turizmi pa kufij territorialë, duke i dhënë hapësirë idesë dhe praktikës së turizmit të integruar me bashkitë fqinje.

U vlerësua se hapi i parë është hedhur, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Bashkisë së Sarandës dhe asaj të Finiqit.

Kryetari Gurma tregoi se të dyja Bashkitë gjenden tani në procesin e organizimit të një Konfeence me fokus turizmin e integruar, ku do të ftohen t’i bashkohen Memorandumit të Bashkëpunimit edhe Bashki të tjera të rajonit jugor, me dëshirën dhe vizionin për të përfshirë më tej edhe Bashki fqinje nga vendi fqinjë, Greqia.

Kreu i Bashkisë së Sarandës Gurma, u shpreh falenderues për dhurimin e një sasie materialesh sanitare për Bashkinë e Sarandës, nga ana e Konsullit të Përgjithshëm Sacharidis.