Tërhiqet Mitsotakis? Takim “kokë më kokë” me Ramën në Samitin e NATO: Beleri, çështje e shtetit ligjor

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis kanë zhvilluar një takim privat gjatë Samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë.

Siç raportojnë mediat e vendit fqinj, Mitsotakis dhe Rama kanë diskutuar për çëshjen e Fredi Belerit. Kryeministri grek nënvizoi nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes, duke theksuar se në Shqipëri “ka një çështje të shtetit ligjor”.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Beleri ndodhet prej më shumë se 50 ditësh pas hekurave, me akuzën e korrupsionit në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ai u kap në flagrancë duke dhënë 80 mijë lekë të reja për blerjen e 4 votave.

Autoritetet greke kanë akuzuar qeverinë shqiptare për arrestimin e tij duke deklaruar se çështjen do e ngrenë në institucionet më të larta të BE-së, si dhe do të pengojnë integrimin e vendit.

Megjithatë, Shqipëria është përgjigjur duke deklaruar se çështja e Belerit i takon institucioneve të reja të drejtësisë shqiptare, dhe trajtohet njësoj si çdo qytetar tjetër, pa ndërhyrje politike.