E shtuna brilante e Timo Fllokos në Butrint

Timo Flloko, një ikonë e aktrimit shqiptar, u riafirmua si i tillë mbrëmjen e së shtunës në Butrint, në skenën antike të së cilës u ngjit së bashku “me miqtë”, në një spektakël unik në lloj, që siç e tha me nëntekst, vetëm Vera e tij mund ta organizojë.

Ishte në fakt një prej eventeve më të shkëlqyera të realizuara nga Vera Grabocka, e llojit krejt të veçantë, me bashkëshortin e tij në qendër, krijimet e tij poetike në vite, ardhur në formën klasike të të recituarit por dhe në atë të të muzikuarit, kënduarit.

Ishte ndër ato shfaqje e denjë dhe për salla të mëdha, por zgjedhur nën qiell të hapur në Butrint, me një numër të kufizuar spektatorësh, të gjithë të ftuar, pothuajse e gjithë elita kulturore e Tiranës, e cila shijoi mahnitshëm dhe njëherë, krejt ndryshe, talentin e lindur të Fllokos, si dhe të perfeksonuar në vite, si në interpretimin poetik, specialitet i tij në mjeshtërinë aktoreske, e si krijimtarinë poetike. Jo më kot dhe krejt kuptimplotë, i vetmi intepretim poetik në filmat shqiptarë është ai Timo Fllokos – “Anës lumenjve” të Nolit te “Lulëkuqe mbi murre” – një skenë monumentale që shpërfaq dhe mjeshtërinë e interpretimit të krijimeve noliane, tejet të vështira, pasi imponojnë një theks të fortë prozaik.

Në gati dy orë, 75-vjeçari me freski moshore Timo Flloko, pati një shkëlqim të parezistueshëm rinor, si të qe në kulmet e karrierës, me një artikulim të pa cen dhe fizik të freskët.

Dhe Butrintit që heshtte prej vitesh nga mungesa e eventeve, sidozot atyre teatrale, u rindez natën e së shtunës nga krijim-inerpretimet brilante të Fllokos me miqtë, si një simbolike e fuqishme e energjisë artistike që sjell pikëtakimi mes së djeshmes antike dhe të sotmes fisnike në art, siç Flloko e përcjell më së miri, si njeriu që u ka qëndruar larg të gjithë marrëzive të post-komunizmit në shoqërinë shqiptare, dhe të atyre në oborre teatrore, duke zgjedhur të jetë artist dhe në jetë pos në profesion…