U nda dje nga jeta, kush ishte Turabi Bajo ish futbollisti dhe trajneri i shquar i Bistricës

Nga Shpresa Dine

Sot miq, shok, qytetar delvinjot të afërm, përcollën për në banesën e fundit qytetarin delvinjot, ish trajnerin dhe futbollistin e shquar të “Bistricës”, Turabi Bajon.

Ai lindi në Delvinë në v. 1930 në një familje të vjetër delvinjote.

Në moshën 14 vjeç  fillon punën në NSHN, dhe në moshën 16 vjeçare në qershor të vitit 1946 shkon si vullnetar në Peshkopi ku qëndroi për gjashtë muaj.

Pas kthimit në Delvinë ai u vendos në krye të rinisë delvinjote si sekretar dhe më vonë meqënëse ishte i dalluar si sportiest dhe organizator i aktiviteteve fiskulturore sportive, u vendos në detyrën e Kryetarit të Komitetit të Fiskulturës për rrethin e Delvinës, detyrë që e mbajti për dy vjet. Më pas ai do të punonte si shef kuadri në H/C e Bistricës.

Në ndërmarjen e komunales ai do të dilte në pension. Në moshën 19 vjeçare Turua do të martohej me një vajzë delvinjote me të cilën lindi 6 fëmije, të cilët i rritën i shkolluan dhe i edukuan duke i nxjerë në jetë si fëmijë të nderuar e të respektuar.

Turabi Bajua do të mbahet në kujtesë edhe si një futbollist dhe trajner i shquar i ekipit “Bistrica” të Delvinës.

Në vitin 1955 ka filluar të luaj futboll me ekipin e Gjirokastres së bashku me delvinjot të tjerë si Spiro Xhimo, Barjam Lato, Thoma Çavo, Spiro Dino.  Deri në vitin 1960 u aktivizua me ekipet e Delvinës dhe të Sarandës. Më pas do të zhvillonte një kurs një mujor për trajner futbolli në Patos.

Si trajner ka patur përkushtimin, seriozitetin dhe respektin nga futbollistët e shumtë që ai ka stërvitur.

Nga duart e tij kanë dalë futbollist të shkëqyer të Delvinës të cilët kanë shkëlqyer jo vetë më Delvinën, por edhe me ekipe të tjera. Është e famshme shprehja e tij me futbollistët. “Luftoni dhe fitoni , fitorja është tuaja, humbja është timja”.

Federata shqiptare e futbollit e ka nderuar me Çertifikat, të cilën ja dhuroi vet Kryetari i FSHF Z. Armand Duka me këtë motivacion:” Për kontributin e shquar si futbollist dhe trajner në shërbim të lëvizjes futbollistike në qytetin e Delvinës.

Emri dhe kontributi juaj do të vlerësohet e kujtohen përherë me mirënjohje nga qytetarët dhe sportistët delvinjot.

Turabi Bajo çeli i pari cilkin që organizoi nga portal ynë “Sportistë dhe trajnerë të shquar të Bistricës ndër vite, të cilën do ta rintransmentojmë për nder të tij, ndërkohë sarandalife.al i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.