Përfundoi mandatin si kryebashkiak, Adrian Gurma: I privilegjuar, që realizova një detyrë dhe përmbusha një mision!

Nga Adrian Gurma

Të dashur miq!

Sot mbyllet për mua një 4-vjeçar intensiv, i bukur, por edhe i vështirë, i mbushur me emocione, sfida e situata jo të zakonshme, të cilat jo vetëm të farkëtojnë guximin, vendosmërinë, durimin por në të njëjtën kohë të pajisin me edukatën e punës, maturinë e dëshirën për të shërbyer, kujdesur e për të qenë i dobishëm.

Pas 4 viteve si Qytetar i Parë, sot i kalova stafetën e drejtimit të Bashkisë Sarandë, kryetarit të ri Oltion Çaçi, duke i uruar mbarësi dhe suksese në detyrën e sapo marrë.

Jam krenar, që kam drejtuar qytetin tim dhe i kam shërbyer bashkëqytearëve, duke realizuar së bashku projekte ambicioze e duke i lënë Sarandës punë të mira e trashëgimi të pasur në çdo fushë, si dhe më shumë ekonomi e turizëm në rritje.

Mirënjohje për familjarët e mi, që më mbështetën në çdo hap, dhe që iu kam borxh kohën.

Falenderim për Partinë Socialiste dhe Edi Rama, për vlerësimin dhe mundësinë, që më dhanë të isha në këtë detyrë fisnike.

Mirenjohes për bashkëqytetarët, të cilët më kanë mbështetur, vlerësuar e falenderuar edhe pse jo çdo pritshmëri e tyre është jetëzuar, ashtu siç dhe vlerësoj çdo kritizer, sepse pa kontributin e tyre, nuk do të mësoja nga gabimet dhe as do të mund të korrigjohesha.

Falenderim, respekt e mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët e mi, me të cilët arritëm suksesshëm, krah për krah në finishin e këtij rrugëtimi të vështirë, që na bëri më të afërt e më të mirë.

I privilegjuar, që realizova një detyrë dhe përmbusha një mision!

FALEMINDERIT!