Rruga Orikum-Dukat bashkë me bajpasin, shkurton distancën drejt bregdetit

Ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat, me gjatësi rreth 15 km, shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, inspektuan punimet në këtë aks, ku deri tani është realizuar 68 % e vëllimit të punimeve.

“Në kantierin e rrugës Orikum-Dukat, ku kanë ecur 68 % e punimeve, një investim me rëndësi për qytetin e Vlorës dhe gjithë jugun e Shqipërisë, e që bashkë me bajpasin, shkurtojnë maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës”, u shpreh Kryeministri Rama.

Punimet për ndërtimin e këtij aksi kanë nisur në vitin 2021 dhe pritet të përfundojë në mars të vitit 2024.

Por zv/kryeministrja Balluku theksoi se duke parë ecurinë e mirë të punimeve mund të bëhet e aksesueshme në sezonin e ardhshëm veror.

Ky aks rrugor do të jetë i kategorisë C dhe do t’u japë zgjidhje problematikave që lidhen me sigurinë rrugore dhe rrëshqitjet, të cilat prej vitesh në aksin aktual kanë qenë një shqetësim për përdoruesit e rrugës.

Projekti i rrugës përfshin edhe ndërtimin e 5 urave dhe një tuneli panoramik.

Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.