Finiq, nis restaurimi i “Puset e Vjetra” në Dhrovjan
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, ka filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit në objektin monument kulture i Kategorisë I, “Puset e vjetra”, të cilat ndodhen në fshatin Dhrovjan të bashkisë Finiq. “Puset e vjetra” janë pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë për vitin 2023.
Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit konsiston kryesisht në ndërhyrjen restauruese në: pastrim i monumentit, restaurim i disa seksioneve murale të puseve, restaurim i kalldrëmit në faqen ballore të puseve si dhe konsolidim i strukturës së puseve nëpërmjet fugatimit e plotësimit në zonat e degraduara, etj.
Dhrovjani është një prej fshatrave më të bukur malorë të kësaj krahine, i banuar që prej shekullit V para Krishtit, kur qendra e banuar quhej Dryovis.
40 puset e Dhrovjanit u shpallën Monumente Kulture që në vitin 1979.