Debate të fortë brenda grupit të PD, kërkohet dorëheqja e Bashës

Partia Demokratike ka mbledhur që prej mesditës së të shtunës grupin e saj parlamentar për të diskutuar mbi rezultatin e arritur në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Shumica e deputetëve i kanë kërkuar Bashës që të ‘bëjë një hap pas’, ku mes tyre janë kreu i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeja dhe zv.kryetarja Jorida Tabaku.

Alibeaj tha se “nuk e sheh si alternative që PD teë ngjitet pas Sali Berishës”, nga ana tjetër tha se duhen dhënë sinjale bashkimi.

“Beni një hap pas (Basha), Berisha një hap pas dhe të krijohet substanca e bashkimit të sinqertë”, tha Alibeaj duke kërkuar që në funksion të saj të ngrihet komision për bashkimin e PD.

Kreu i saj, Lulzim Basha është shprehur i hapur për çdo zgjidhje dhe çdo hap për të mirën e PD.

“Shpreh gatishmërinë time për të ndërmarrë gjithçka, çdo hap që i shërben partisë. Pa përjashtim. Në kuadër të kësaj jam gati të ndërmarr çdo veprim që i shërben PD”, tha Basha duke lënë të hapur mundësinë e dorëheqjes.

Gjatë diskutimeve nuk kanë munguar debatet e tone të larta, ku janë përfshirë Basha, Pampuri dhe Ervin Salianji.

Salanji i kërkoi Bashës që të japë menjëherë dorëheqjen dhe të nisë puna për bashkimin e PD-së.

“Duhet akt, nuk mund te thuhet që vendos gjithçka në dispozicion të PD. Po ju kërkohet vetëm një gjë, të jepni dorëheqjen sot me akt publik dhe qëndroni në detyrë për një afat jo me shume se 2 javë”, tha Salianji.

Thirrjes për dorëheqjen e Bashës i është bashkuar dhe Dashnor Sula por edhe deputetë të tjerë të njohur si mbështetës të kreut të PD.

Shumë prej tyre bëjnë thirrje për bashkimin e PD, por pa Berishën pjesë. Këtë gjë theksoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili tha se vendimi për Berishës nuk kthehet.

Dorëheqje të menjëhershme i kërkoi deputeti Ferdinand Xhaferi. Sipas tij Basha ka qëndruar 9 vjet në krye të PD edhe pse vetëm ka humbur.

“ne perëndim mbas humbjes, që në ditën e parë të daljes së rezultatit, kryetarët japin dorëheqjen. Jepni dorëheqjen sot dhe ky është hapi i parë drejt zgjidhjes”, tha Xhaferaj.