Kërkoi leje për të dalë nga qelia për t’u betuar si kryetar bashkie në Himarë, GJKKO rrëzon Fredi Belerin

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri nuk do të betohet si kryetar. GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tij për të qenë pjesë e betimit të planifikuar ditën e nesërme. Beleri paraqiti lejen në 3 institucione në SPAK, Drejtorinë e Burgjeve dhe në GJKKO për të dalë nga paraburgimi për ceremoninë e marrjes së detyrës në Këshillin Bashkiak të qytetit të martën e 27 qershorit në orën 11.00. GJKKO sqaron se lejet jepen vetëm në raste vdekjesh, martesash apo provimesh.

Betimi para këshillit bashkiak është detyrim ligjor, nëse nuk realizohet brenda një afati kohor brenda 6 muajsh mandati tij shuhet.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.