Balluku për Aeroportin e Vlorës: Më i rëndësishmi në vend, fluturime përtej oqeanit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i rëndësishëm në vend, përmes së cilit do të bëhet lidhja direkte me SHBA-në dhe Kanadanë.

Kjo, sipas saj, do të sjellë edhe ulje të kostos për qytetarët.

Ministrja Balluku, në fjalën e saj në Kuvend, theksoi se po ashtu në këtë aeroport pritet të punësohen direkt dhe indirekt mbi 12 mijë qytetarë.

Balluku vuri në dukje se aeroporti po ndërtohet jashtë zonës së mbrojtur, që ka qenë pronë e ushtrisë shqiptare për vite të tëra.

Ndërkohë, ministrja vlerësoi konsorciumin e kompanive, ku 50 % e aksioneve zotërohet nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli. Sipas saj konsorciumi, ka eksperiencën e duhur, duke qenë se ka në pronësi aeroportin e Mynihut, ndër më të mëdhenjtë, sa i takon përpunimit të fluturimeve, në Europë.

“Ne bëjmë rrugë, aeroporte, tunele, porte, gjithçka për të zhvilluar ekonomikisht vendin. Dhe bëjmë transparencë në çdo procedurë, pasi nuk vijnë kot kompani të mëdha europiane për të konkurruar, pikërisht për parqet fotovoltaike, rrugët, portet apo hekurudhat. Ashtu sikundër ndërmarrim paketa sociale, bëmë reformën në drejtësi, kemi ndryshuar arsimin. E kemi këtë sfidë me veten, pasi nuk kemi asnjë krahasim me ju”, theksoi Balluku.

Ministrja, nga ana tjetër, informoi se po punohet për ngritjen e një akademie për inxhinierë dhe teknikë avionësh, pasi në aeroportin e Vlorës do të ndërtohen hambarët e parë për riparim avionësh.