Destinacioni i javës: Fshati Kalasë, 25 km nga qyteti i Sarandës

Fshati Kalasë ndodhet rrëzë Malit të Lucës, pranë burimeve të lumit Kalasë, prej nga ka marrë dhe emrin.

Kalasa lidh Delvinën me Bregdetin, nëpërmjet Qafës së Frashërit dhe me Gjirokastrën, përmes Qafës së Skërficës.

Kalasa është përmendur nga Evlija Çelebi si qendër e madhe banimi me medrese, xhami dhe bibliotekë.

Sot ruhen rrënojat e një kalaje veneciane të shekullit XII-XIII dhe një kalaje të periudhës osmane, në të cilat janë gjetur edhe gjurmë të vendbanimeve antike.

Në qendër të fshatit ndodhet Rrapi, i cili ka statusin “Monument Natyre”.

Në luginën ku kalon lumi Kalasë, ndodhen tri ura guri, të njohura si “Ura Jesir”, “Ura e Mullirit” dhe “Ura e Çinës”. Për vlerat e veçanta historike e arkitektonike dhe të tria ruajnë statusin “Monument Kulture”.