Arti sarandiot në zi

Nga Thoma Nika

Sot, pas një sëmumdjeje të rëndë, mbylli sytë përgjithmonë Njeriu dhe Artisti, Anastas Nika. Ai la në pikëllim të thellë familjen, pasi u ndanë dhe humbën bashkëshortin e denjë, djemtë babain e dashur dhe motrat vëllain e vetëm.

Po ndjesia e humbjes shkon përtej familjes, kur është fjala për ikjen nga jeta të një Njeriu dhe Artisti si Anastas Nika, që e deshi dhe dha aq shumë për artin kombëtar dhe për lëvizjen artistike e kulturore në Sarandë.

Ai ishte artisti i parë profesionist me origjinë të shprehur fuqishëm e krenarisht për Sopikun e tij.
Aktori dhe regjisori i Estradës Profesioniste të Sarandës, Anastas Nika, ka spikatur me lojën e tij aktoriale.

Ai mbeti artisti që i ka dhënë skenës shpirtin e tij artistik. Si aktor i talentuar, ka marrë pjesë në teatër, komedi dhe në kinematografi dhe ka përgatitur për shkollën e aktrimit, për skenën dhe ekranin, mjaft talente të reja, përfshirë edhe djalin e tij, Enea.

Anastas Nika është shpallur disa herë “Aktor i Vitit” dhe mban titullin “Aleksandri i Madh”.

Ai i bën nder artit të aktrimit, me orgjinalitetin dhe talentin e tij.

Lindi në një familje të thjeshtë sopiqote, vëlla i vetëm i tri motrave, të cilat i la sot në pikëllim dhe që e shoqëruan dhe mbajtën peshën në të gjithë kalvarin e sëmundjes së rëndë, me të cilën Anastasit iu desh të përballet vitin e fundit. Saranda u bë solidare në përpjekjen e tij e të familjes për kapërcimin e së keqes, por sfida e tij me sëmundjen e rëndë e të rrallë, nuk ishte e mundur të fitohej.

Kujtojme sot se edhe rruga e tij në fushën e artit skenik, është plot kthesa, plot maja dhe gropa, që Caci ka bërë për skenën dhe në skenë. Besoj që kujtdo i rezulton se e tërë ai ishte një krijesë e krijuar për të krijuar.

Sekreti i pëlqyeshmërisë dhe i të bërit emër si aktor, është tek ai raport i mirë dhe tek ajo balancë e përsosur që vendosi mes dy kushteve për të qenë dikush.

Mes talentit të lindur dhe punës pa u lodhur.
E kisha parë atë të gëzohej si fëmijë kur mëngjesi i ri e gjente me ide të reja për t’I dhënë skenës pjesë nga lëvizja e brendshme e jetës së qytetit të vogël që e do dhe e ka nevojë artin.

Ai ulej e shhkruante vet librete, ndërtonte dhe prishte skema të administrimit regjisorial. Mësimet e marra nga regjisorë të shquar si: Timo Flloko, nga Vangjush Furrxhi, nga aktori Rikard Ljarja, nga Birçe Hasko, nga mjeshtri Viktor Zhusti, nga babai I regjisurës shqiptare Piro Mani etj., bënë që Anastasi të ishte ambicioz për t’u shëmbëllyer atyre. Krijoi një galeri figurash që në këto momente të ndarjes prej tij, na kalojnë të gjithëve si në një film.

Dhe vlerësimi e nderimi për këtë Njeri dhe Artist, na shtohet, siç na shtohet edhe pesha e humbjes dhe e vendit bosh që do të lerë nga sot, në përditshmërinë tonë.

Me punë të pandalshme për të bërë art, Anastasi na tregoi se kishte ambicie për të bërë art të bukur në një qytet të bukur, si Saranda jonë.

Në tri dekadat e fundit, pjesë të punës së vet krijuese në Sarandë, bëri edhe përgatitjen e aktorëve që janë me emër në skenën e sotme shqiptare këtu dhe nëpër botë.

Anastasi përsëriste shpesh se “Për mua aktori është dhimbje. E i dhimburi i beson të dhëmburit, duke marrë që këtej aftësinë për ta bërë publikun të qeshë, të përlotet, të përqeshë, të gëzojë e shpresojë”. Këtë ia doli të bëjë.

Ndërsa me këtë ikje kaq të shpejtë e të hershme nga jeta, nga komuniteti I krijuesve dhe njerëzve të artit e të skenës, ai nuk bëri tjetër, veç na la kujtimin e njeriut të mirë e të artistit të formuar dhe shumë dhimbje.

Ja përse sot Arti sarandiot është në zi, në nderim të emrit Anastas Nika, të skalitur me punë e dashuri për punën që prodhon art.