Destinacioni i javës: Bunkeret-tunel, në kodrën e Sotirës, 18 km nga qyteti i Sarandës

Në kodrën e Sotirës, në pjesën veriperëndimore të qytetit antik të Butrintit, ndodhet një ish repart ushtarak, me katër tunele-bunker nga periudha e komunizmit, pjesë përbërëse e baterisë së Regjimentit të Artilerisë Bregdetare, me topa obuz 122 mm, të destinuar për mbrojtjen e vijës bregdetare të Sarandës, si pjesë e zinzhirit mbrojtës me simotrat e saj që ishin vendosur në lartësitë e Manastirit, Lëkurësit, Qefalit e Bunecit.

Referuar specialistëve ish-ushtarakë, tunelet-bunker u ndërtuan rreth viteve ‘70 dhe mendohet se u bënë funksionale në 1973.

Sot janë pjesë e memories historike, por edhe trashëgimisë dhe arkitekturës ushtarake.

Prej kodrës ku ata ndodhen, shfaqet një pamje e mrekullueshme e Parkut të Butrintit, fushës së Vrinës dhe luginës së lumit Pavlla.