Zhdukja e “Koçoles” dhe Sulovarit në Sarandë, dalin në skenë emrat e miqve të Edmond Papës

Zhdukja e dy 46 vjeçarëve në Sarandë, po surprizon policinë për shkak të emrave dhe fakteve që dalin në dosjen hetimore.

Kështu përveç zhdukjes së “Koçoles” dhe Sulovarit apo Krasniqit, në skenë ka dalë dhe një shpërthim eksplozivi në një banesë në 5 dhjetor 2022 në Sarandë, çështje ende e pazbardhur.

Ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, por policia është detyruar të shfletojë dosjen e disa muajve më parë për shkak se mjeti i përdorur në të dyja ngjarjet dyshohet se është i njëjtë dhe mund të ndodhemi para të njëjtëve autorë.

Përveç kësaj, ndër personat e shoqëruar apo që kërkohen për t’u shoqëruar për t’u marrë në pyetje, rezultojnë persona me precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit për çështje droge.

Ndër këta persona, ka edhe miq të biznesmenit Edmond Papa, i ekzekutuar në 16 dhjetor 2022 në Tiranë.

Disa prej tyre rezultojnë si të marrë në pyetje apo të përmendur edhe në dosjen e vrasjes së 27 vjeçarit Aleksandër Sadikaj më 11 qershor në zonën e Saukut në Tiranë.

Edhe këto dy ngjarje nuk lidhen me zhdukjen e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, pasi pista kryesore lidhur me zhdukjen apo vrasjen e tyre është ajo lidhur me shit-blerjen e një toke në fshatin Çukë e cila ishte në pronësi të Leonard Thodhorit.

Duket se policia ndodhet para një serie ngjarjesh që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por që rrotullohen rreth të njëjtave personazhe.