Zbarkimi në Sarandë: Pse do na pushtonte Italia?
Arkivi Shtetëror kujton 7 prillin pushtues nga Italia të Shqipërisë, duke e nisur infon e saj si vijon:
“Si sot, më 7 prill të vitit 1939, Shqipëria u vu nën zgjedhën e Italisë Fashiste”.
Më tej, Arkivi ofron të dhëna mbi atë ditë, duke shkruar:
“Në agun e asaj dite, ushtria fashiste italiane e përbërë prej rreth 40 mijë forcash tokësore dhe 150 mjetesh fluturuese, ndërmori një sulm ndaj vendit tonë, duke zbarkuar në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Mes qendrestarëve që organizuan një rezistencë të armatosur, ra në luftime oficeri i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, Mujo Ulqinaku”.
Në lidhje me çështjen delikate të aktit të Mbretit Zog, Arkivi mjaftohet me një fjalë, ku “ikjen” e zëvëndëson me fjalën “zhvendosje” dhe pa e përmendur çështjen delikate të arit.
“Me nisjen e pushtimit, Mbreti Zog u shpërngul nga atdheu, i cili në vazhdim u bë një protektorat i Italisë fashiste”.
Po pse Italia iu vërsul Shqipërisë asokohe? Ja shpjegimi sipas Arkivit të Shtetit:
“Pushtimi italian ishte një fushatë e shkurtër ushtarake, e motivuar prej politikave imperialiste të Benito Musolinit. Parë nga këndvështrimi gjeostrategjik, Shqipëria qe prej kohësh një referencë me rëndësi për vendin fqinj.
Teksa, Gjermania naziste aneksoi Austrinë dhe u zhvendos kundër Çekosllovakisë, Italia iu druajt mpakjes së peshës së saj në radhët e Paktit të Çelikut. Po ashtu, pas pushtimit të beftë të Çekosllovakinë më 15 mars 1939, Musolini vendosi të vepronte në të njëjtën linjë, duke aneksuar Shqipërinë. Megjithatë kjo politikë u qortua nga Mbreti Viktor Emanueli i III-të i Italisë, i cili e cilësoi planin për pushtimin e Shqipërisë, si një rrezik të panevojshëm”.
“Më poshtë, një foto e datës 10 prill 1939, ku paraqiten Konti Ciano dhe Gjeneral Guzzoni, udhëheqësit e planit të pushtimit të Shqipërisë”, shkruan Arkivi. /