Aeroporti i Vlorës, ofertues të rinj/ “Nëse njëri plotëson kriteret. Në muajin prill nisin punimet”

Ministria e Infrastrukturës ka mbyllur garën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Në një intervistë për Top Channel, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se kanë mbërritur 2 oferta për ndërtimin dhe operimin e këtij aeroporti, ndërsa shtoi se fillimi i Prillit do të shënojë edhe nisjen e punimeve për këtë investim strategjik që pritet të ketë një impakt të konsiderueshëm në ekonominë e vendit.

“Ne sot mbyllëm garën për këtë projekt. Jemi shumë të kënaqur të njoftojmë se kanë mbërritur 2 oferta. Komisioni do marrë kohën e duhur dhe në pamje të parë ofertuesit përmbushin kushtet teknike. Megjithatë do marrë kohën e nevojshme dhe ne jemi shpresëplotë se do të kemi së shpejti një fitues dhe në fillim të Prillit të nisë puna në kantierin e Aeorporit të Vlorës, Aeroportit të të gjithë shqiptarëve.”

Ministrja është ndalur edhe te vonesat që ka pësuar herë pas here që gara për ndërtimin e kësaj vepre, të cilat sipas saj kanë ardhur si pasojë e pandemisë Covid-19.

“Gara për ndërtimin dhe operimin e aeroportit u hap fillimisht më 19 dhjetor 2019 dhe fituesi do të shpallej në mars, një proces që u bllokua për shkak të pandemisë Covid-19. Në kushte të tilla, Ministria e Infrastrukturës vendosi të rihapë sërish ankandin ndërkombëtar në nëntor të vitit të kaluar, duke përcaktuar 14 dhjetori si afatin për shpalljen e fituesit. Por, një ankimim pranë Komisionit të Prokurimit Publik solli vonesa të tjera në finalizimin e garës.”

Pas Aeroprotit Ndërkombëtar të Rinasit dhe hapjes së atij të Kukësit në fillim të pranverës së këtij viti, Aeorporti i Vlorës bëhet aeroporti i tretë në vend që mund të nisë operimin.