Sarandë, PDIU hap fushatën nga varrezat e Kllogjerit, Idrizi: Askush në Parlamentin e Shqipërisë nuk e përmend Çamërinë

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit nga varrezat e Kllogjerit në Sarandë.

Kryetari i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi, është shprehur se politika shqiptare është e nënshtruar ndaj një fqinji që nuk e kupton se jemi në shekullin që të drejtat e njeriut nuk mund të nëpërkëmben.

Gjatë fjalës së tij, Idrizi tha se në Parlamentin e Shqipërisë askush nuk e përmend Çamërinë dhe çështjen çame, për shkak të frikës nga Greqia.

“Nisim sot një rrugëtim nga varrezat monumentale të Kllogjerit. Nuk ishte e lehtë për ne që ta nisnim në këtë vend këtë fushatë politike. Por ne kështu tejkalojmë çdo keqdashje apo bestytni. Në fakt ky memorial dhe piedestal duhet të ishte ngritur nga çdo parti politike, nga çdo qeveri e për çdo trevë të Shqipërisë. Sot kam vetëm një vjalë për të gjithë ata keqdashës që pyesin se çfarë kemi bërë ne për çështjen çame.

Ju them ja ku e keni, atë që duhet ta kishte bërë çdo qeveri, u themi se këtë e kemi bërë ne. Për mua nuk ka krenari më të madhe sesa t’i shohim të rinjtë tanë që bërtasin fortë për origjinën e tyre fisnike. Po ju ça keni bërë për Çamërinë?

PDIU-së që doli e vetme, i kërkojnë llogari të majtë e të djathtë, se ku jeni. I drejtohem të gjithë atyre që PDIU i bëri drejtora, zv.ministra, sheaf, etj. Ku ishit deri dje, a ju njihte njeri? Ja keni borxh çamërisë. Të kujtohen njëherë që t’ja zënë në gojë emrin e Çamërisë.

Çamëria është si Miti i Sizifit që kam vendosur ta çoj në majën e malit. Sot ky gur i rëndë ka me mijëra duar që e mbartin.

Keni gojë të na zini ne me gojë, ne e kemi zanafillën për ta kthyer Çamërinë në një çështje kombëtare.

Ajo që kam parë me neveri nga politika e ditës, është frika dhe nënshtrimi ndaj një fqinji që nuk pranon që ky është shekulli ku të drejtat e njeriut janë të shenjta e nuk mund të nëpërkëmben.

Nuk e kam kuptuar kurrë sesi në atë sallë të Parlamentit, kolegët e mi propozojnë lloj lloj rezolutash, për krimet në Bosje, deri në Kamborxhia, por nuk thonë asnjë fjalë për çështjen çame dhe të kujtojnë ata që u sakrifikuan që të mbetej kjo shqipëri që është sot.

Sot vijmë si një forcë politike seroze. Sot trëndafilat e Çamërisë janë këtu me ne. Sot kërkojmë bekimin e të parëve, martirëve të atdheut që të vijojmë të punojmë për kombin”, u shpreh Idrizi.